Në vazhdën e takimeve me prokuroritë e rretheve gjyqësore në vend, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, ka zhvilluar ditën e djeshme takimin e radhës me drejtuesit e prokurorive të rrethit Gjirokastër dhe Sarandë.
I shoqëruar nga drejtuesja e Departamentit Ligjor në këtë institucion znj. Edlira Cimbi dhe këshilltari pranë Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve z. Arben Shkëmbi, ai është njohur nga afër me problematikat e përditshme të punës së prokurorive në rrethe.
Hartimi i dy Rregulloreve atë për Lëvizjet Paralele dhe Ngritjen në Detyrë ishte një ndër pikat më të rëndësishme të diskutimit, ku me propozim të z.Ibrahimi u dakordësua për një gjithëpërfshirje më të madhe të prokurorëve dhe Këshillit në këtë proces.
Me interes të veçantë është trajtuar edhe një ndër problemet më të shpeshta sa i përket shtimit të numrit të oficerëve gjyqësorë pranë prokurorive teksa lipset nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë dhe efektiv mes oficerëve gjyqësore dhe prokurorëve, domosdoshmëri kjo që lind edhe nga ngarkesa e punës sidomos në këto dy prokurori.
Në takim u diskua gjithashtu edhe mbi nevojēn për një mirë-menaxhim të imazhit tē sistemit të prokurorisë në tërësi. Nevoja për komunikimin publik dhe rëndësia e kultivimit të imazhit të institucionit për hir të sigurisë dhe reputacionit të imazhit të prokurorit ishte ajo çka kreu i Këshillit i propozoi drejtuesëve të Prokurorive, për të rritur besimin e publikut si dhe për të përmirësuar punën e përditshme të prokurorëve. Në këtë kontekst, u mirëprit edhe ideja e instirucionalizimit të Këshilltarit të Etikës pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.