Është mbajtur gjatë mesditës së sotme mbledhja e 66-të plenare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Seanca është zhvilluar përmes platformës on-line, në respektim të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19 si dhe në prani të të gjithë anëtarëve të Këshillit.
Nè përputhje me rendin e ditës, seanca ka nisur me miratimin e dy procesverbaleve të mbledhjeve plenare të datave 15.07.2020 dhe 17.07.2020.
Këshilli ka miratuar unanimisht raportin për analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit z. Shpëtim Garunja, z. Petrit Bica, znj. Anila Galanxha si dhe z. Arian Pèrmeti. Unanimisht janë miratuar edhe projekt-aktet “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit pranë Gjykatës së Apelit Durrës për znj. Afërdita Ndoi si dhe pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër për z. Lazër Çardaku, për një periudhë nga 27.07.2020 – 26.10.2020.
Gjithashtu, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli ka miratuar unanimisht projekt-aktet për caktimet e përkohshme për pozicionin e drejtuesit të prokurorisë, si vijon; prokurori Erion Çela në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për një afat 3 mujor nga data 27.07.2020 – 26.10.2020; Albert Murçaj në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për një afat 3 mujor nga data 27.07.2020 deri më 26.10.2020; Asllan Bajramaj në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për një afat 3 mujor nga data 28.07.2020 deri më 27.10.2020; Brahim Dragjoshi, në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, për një afat 3 mujor nga data 28.07.2020 deri më 27.10.2020; Lorenc Mërkuri, në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për një afat 3 mujor nga data 27.07.2020-26.10.2020; Ludovik Doda, në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, për një afat 3 mujor nga data 27.07.2020 – 26.10.2020.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbështetur në nenet 53/2, 54 të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar si dhe në nenin 5 të ligjit nr.113/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe EUROJUST”, në datën 24.02.2020 me vendimin nr.74, ka hapur garën për të shprehur interesin për t’u komanduar si Prokuror ndërlidhës pranë Eurojust ndërmjet kandidaturave që vijnë nga radhët e prokurorëve, për t’u komanduar, me pëlqimin e tyre. Në këto kushte, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, është miratuar me shumicë votash, vijimi i procedurave të komandimit për kandidatet prokurore znj.Fatjona Memçaj dhe znj. Sonila Muhametaj.
Ndërkohë, me 3 vota kundër (z. Alfred Balla, znj. Nurihan Seiti dhe z. Tartar Bazaj) dhe 6 vota pro, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të mbajë një qëndrim publik lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të ONM-së, z. Theo Jacobs, e cila publikohet edhe në faqen zyrtare të Këshillit.
Me propozim të nënkryetarit z. Alfred Balla, Këshilli ka miratuar unanimisht veprimtarinë jashtë funksionit, konkretisht qenien ekspert, pranë Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore, për magjistraten prokurore Znj. Enkeleda Millonai, në masën jo më shumë se 80 minuta në ditë, për dy ditë, në trajnimin me temë “Çështjet gjyqësore në fushën doganave. Veprat penale në fushën e doganave” i cili do të zhvillohet brenda muajit korrik të vitit 2020.
Në përfundim, pas një sërë diskutimesh dhe me propozim të kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, është hedhur në votim ankesa e znj. Erida Visoci për shfuqizimin e urdhrit të drejtuesit të prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për ngritjen e grupit hetimor dhe zëvendësimin e prokurorit të çështjes. Këshilli pasi mori në shqyrtim ankesën e kësaj prokuroreje, me shumicë votash, vendosi të mos pranojë ankesën dhe të lë në fuqi urdhrin në fjalë.