Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron drejtuesin e BKH-së/ Vendime të marra gjatë seancës plenare, 30 korrik 2020

Në respektim të masave të ndërmarra, për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur mesditën e sotme seancën plenare përmes platformës on-line. Seanca është zhvilluar në prani të gjithë anëtarëve dhe të ftuarëve përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë si dhe programet EURALIUS dhe OPDAT.

Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 27.07.2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar me 9 vota pro, emërimin e Drejtueses së Byrosë Kombëtare të Hetimit, znj. Aida Hajnaj, për një mandat 5 (pesë) vjeçar, duke filluar nga data 01 Shtator 2020.

Me 1 votë kundër, (z. Gent Ibrahimi), është miratuar edhe leja e papaguar për kualifikim profesional ndërkombëtar (master) për prokuroren znj. Armanda Xhaferri, për periudhën nga data 01.09.2020 deri në datë 30.11.2021.

Në vijim, Këshilli ka miratuar unanimisht projekt-aktet ‘ Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit së Prokurorisë” për prokurorët, znj. Dorina Bejko në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec; znj. Ollga Visi, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë si dhe z. Julian Çafka, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, me 8 vota pro, në mungesë të znj. Nurihan Seiti.

Gjithashtu, me propozim të Komisionit të Disiplinës, Këshilli vendosi me 9 vota pro, zgjatjen e afatit për caktimin e seancës dëgjimore deri në  2 (dy) muaj nga data 23.07.2020, që është dita e marrjes së dosjes nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në procedimin disiplinor nr. 251/31, dt. 21.07.2020 ndaj prokurorit ——————,  për të shmangur përkimin e datës së seancës dëgjimore me periudhën e pushimeve vjetore, në respektim të së drejtës ligjore të magjistratëve për të marrë këto pushime gjatë muajit Gusht.

Në përfundim, unanimisht është miratuar edhe projekt-akti i vlerësimit, në kuadër të rivlerësimit kalimtar për prokurorin z. Kreshnik Ajazi, përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale.