AKTIVITETEPËR MEDIAT

Vendime të marra në mbledhjen plenare, 17 shtator 2020

Posted

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen e radhës plenare. Në respektim të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, mbledhja është zhvilluar përmes platformës on-line në prani të tetë anëtarëve të Këshillit dhe në mungesë të anëtares Esmeralda Keshi si dhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, programet EURALIUS dhe OPDAT.

Sipas rendit të ditës, seanca ka nisur me miratimin e procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 30.07.2020. Gjithashtu, me propozim të z. Bujar Sheshi dhe miratimin e të gjithë anëtarëve, rendit të ditës i është shtuar për diskutim miratimi i projekt-vendimit për zhvillimin me dyer të mbyllura të seancës dëgjimore të datës 23.09.2020, në lidhje me procedimin disiplinor nr. 251/31, dt. 21.07.2020, të filluar ndaj magjistratit me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në përgjigje të kërkesës së drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Pas prezantimit te relacionit shpjegues nga ana e Komisionit të Disiplinës, Këshilli vendosi me shumicë votash që seanca dëgjimore të zhvillohet me dyert të mbyllura në respekt të parimit të konfidencialitetit dhe të drejtën e jetës private dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Ky vendim do të zbatohet në vazhdimësi për të gjitha fazat, deri në përfundim të këtij procedimi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar unanimisht projekt-aktin  “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë, z. Abaz Muça, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat; z. Rifat Kojku, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër; znj. Rita Gjati, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës si dhe z. Kreshnik Ajazi, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. Unanimisht janë miratuar edhe projekt-aktet “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të z. Anton Martini, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë; znj. Donika Prela, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë; znj. Alma Bramo, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Gjatë seancës, Këshilli miratoi projekt- aktin për mbarimin e statusit për shkak të dorëheqjes së magjistratit z. Bujar Hoxha, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe raportin për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit z. Bardhok Lleshi, i cili do t”i dërgohet KPK dhe OMN.

Grupet e punës pranë komisioneve kanë prezantuar para Këshillit draft- rregulloret “ Për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë” dhe “ Për komandimin e magjistratit në një institucion tjetër brenda sistemit të drejtësisë”. Pasi u njohën me komentet dhe sugjerimet e fundit mbi këto drafte, Këshilli vendosi për miratimin e tyre në seancën plenare e parashikuar të zhvillohet me datën 23.09.2020.

Këshilli ka diskutuar sot edhe mbi kërkesën e ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me përfitimin e shpërblimit për shkak të mbarimit të statusit si magjistrat dhe përgatitjen e një opinioni lidhur me këtë çështje dhe ka vendosur për miratimin e tij në mbledhjen e ardhshme.