Sot në mesditë, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë priti në takim pune ministren e Drejtësisë, zj. Etilda Gjonaj ku temë diskutimi ishte identifikimi dhe realizimi i disa objektivave në kuadër të axhendës së Komitetit Teknik Institucional, i cili pritet të mblidhet në muajt e ardhshëm dhe ku do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë në vend, misione ndërkombëtare të asistencës në fushën e zbatimit të reformës në drejtësisë dhe misione diplomatike të akredituara në vend.
Pasi falenderoi ministren Gjonaj për bashkëpunimin dhe koordinimin efikas midis të dy institucioneve për sa i përket bashkërendimit dhe raportimit të saktë të veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zoti Ibrahimi informoi ministren Gjonaj për problematikat imediate me të cilat përballet Këshilli aktualisht; plotësimin e dy vakancave në Këshill, emërimin e drejtuesëve të prokurorive në vend pas miratimit nga ana e Këshillit të rregullores “Për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë dhe përgatitja e opinionit nga ana e Këshillit për sa i përket amendimeve dhe ndryshimeve në ligjin për statusin e magjistratit. Gjithashtu, Kryetari i Këshillit nënvizoi nevojën e reformimit të procesit të hetimit dhe krijimin e një lidhjeje organike midis policisë gjyqësore dhe prokurorisë.
Ministrja Gjonaj përgëzoi zotin Ibrahimi për punën dhe rezultatet e arritura nga Këshilli deri tani dhe kërkoi përfshirjen aktive të tij në hartimin e hartës gjyqësore në vend ku një rol të rëndësishëm kanë prokuroritë të cilat do të kenë të garantuara funksionimin, administrimin dhe aksesin e qytetarëve në këto institucione.