Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë pret në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, znj. Guusje Korthals Altes

Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka pritur në një takim kortezie Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri. Takimi u zhvillua në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ambasadorja holandeze, znj. Guusje Korthals Altes u shoqërua nga zëvendës ambasadori z. Rogier Nouwen dhe këshilltari ligjor z. Hemion Braho.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, znj. Korthals Altes shprehu vlerësimet për punën e Këshillit ndërkohë që përgëzoi procesin e Reformës në Drejtësi duke theksuar mbështetjen e Mbretërisë së Holandës në konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri.

Palët në takim vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm. Zoti Ibrahimi siguroi gjithashtu edhe lehtësimin e zbatimit të projekteve të ndërmarra në funksion të forcimit të shtetit ligjor, të financuara nga qeveria holandeze.

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë nga Mbretëria Holandeze në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të reformës si dhe siguroi mbështetjen e plotë të institucionit që ai drejton në forcimin e shtetit të së drejtës.

Zoti Ibrahimi u shpreh besimplotë se në bashkëpunim edhe me organizatat dhe misionet ndërkombëtare, SPAK dhe BKH, si dy hallka kyçe në hetimin dhe goditjen penale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, do të korrin së shpejti frutet e punës së kryer deri më tani.