Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi ditën e enjte në 1 Tetor në Valbonë një takim me qëllim vlerësimi të objektivave të miratuara për vitin 2020 dhe përgatitjen e Planit Strategjik 2021–2024.
Në takim morën pjesë anëtarë të Këshillit, këshilltarë ligjorë dhe një pjesë e administratës së Këshillit.
Kjo strategji do të përcaktojë objektivat e punës për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për sigurimin e pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe të eficiencës në veprimtarinë për administrimin e statusit dhe karrierës së prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Hartimi i tij është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët kryesorë të sistemit të prokurorisë, Ministrin e Drejtësisë, shoqërinë civile, etj., me mbështetjen e posaçme të ofruar nga Misioni EURALIUS si dhe janë konsultuar dokumentet strategjikë dhe legjislacioni në fuqi, me qëllim krijimin e pasqyrës reale dhe planifikimin e drejtë dhe të saktë si garanci për rezultatet e tij pozitive.
Zhvillimi i veprimtarisë për administrimin e sistemit të prokurorisë sipas këtij plani strategjik, do të garantojë respektimin e parashikimeve ligjore si dhe rritjen e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Plani Strategjik 2021 – 2024 për Këshillin e Lartë të Prokurorisë përmban vizionin, misionin dhe vlerat thelbësore që do të drejtojnë punën e këtij këshilli, për arritjen e një qëllimi të përgjithshëm që është kontributi për forcimin e shtetit ligjor dhe krijimi i një sistemi të pavarur dhe efecient të prokurorisë.
Përveç qëllimit të përgjithshëm, plani përmban objektivin specifik si dhe aktivitetet kryesore të punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë në vitet në vijim, që do të shërbejnë për të garantuar meritokracinë, profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe pavarësinë e prokurorëve.
Plani përmban 6 programe të cilat trajtojnë çështje si, promovimi i prokurorëve bazuar në meritën, kualifikimi i vazhdueshëm dhe vlerësimi i punës sipas standardeve, llogaridhënia, garantimi i pavarësisë si dhe kontributi për përmirësimin e legjislacionit.
Secili prej këtyre programeve shoqërohet nga një plan veprimi kohor me aktivitete të detajuara në fushat respektive që do të ndiqen nga komisionet e përhershme dhe administrata pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Gjatë hartimit të këtij plani janë vlerësuar sfidat dhe rreziqet e mundshme, të përgjithshme, të brendshme apo të jashtme, të natyrave të ndryshme që mund të ndikojnë në punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe disa masa lehtësuese për shmangien apo uljen e efektit të dëmshëm të shkaktuar nga këto rreziqe. Plani Strategjik pritet të miratohet në javët e para të këtij muaj në seancë plenare.