Fjala e kryetarit të KLP-së, Gent Ibrahimi në ceremoninë e diplomimit të 16 magjistratëve të Shkollës së Magjistraturës

Në kuadër të fillimit të vitit të ri akademik 2020-2021, Shkolla e Magjistraturës ka organizuar ditën e hënë, 5 Tetor ceremoninë e diplomimit të 16 magjistratëve, 14 prej tyre ne profilin gjyqtar dhe 2 në profilin prokuror, që përfunduan studimet në programit e formimit fillestar për vitet akademike 2017-2020 dhe 2018-2020.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e godinës Poli i Drejtësisë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Ministria e Drejtësisë, përfaqësues së komunitetit ndërkombëtar të cilët asistojnë institucionet të reja të drejtësisë  si dhe pedagogë të Shkollës së Magjistraturës.

Në fjalën e tij, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zoti Gent Ibrahimi përgëzoi magjistratët të rinj me rastin e diplomimit dhe theksoi se detyra e magjistratit është një barrë përgjegjësish që mund ta mbash me sukses vetëm në rast se ke kapacitetet e duhura morale dhe profesionale.

Në vijim, fjala e plotë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zoti Gent Ibrahimi.

Të nderuar, zonja kryetare, zonja ministre, kolegë të shkollës së magjistraturës. Sot është dita e parë që ju jeni zyrtarisht kolegë me të gjithë ne. Mirëserdhët në familjen tonë! Është një familje e madhe e nderuar dhe një familje që meriton respekt. Por, natyrisht që ky respekt nuk duhet marrë i mirëqenë.

Ju i përkisni elitës së këtij kombi. Në çdo vend të botës nuk ka asnjë dyshim që magjistraturat i përkasin elitave. Ka disa mënyra për të përcaktuar elitat; është kriteri kulturor, kriteri pasuror, kriteri i origjinës familjare. Ka plot kritere, por askush nuk besoj se do të ketë dyshim për të thënë që ti përkasësh një grupi, i cili merr vendime për pjesën tjetër të shoqërisë, është padyshim një kriter i fortë për ti përkitur elitës së një vendi dhe ju padyshim që i përkisni kësaj elite. Dhe ti përkasësh elitës është një cilësi që vjen me një barrë të rëndë përgjegjësish. Një barrë përgjegjësish që mund ta mbash me sukses vetëm në rast se ke kapacitetet e duhura morale dhe profesionale. Por ju e dini më mirë se kushdo tjetër se ju jeni këtu pse ia keni dalë në krahasim me shumë të tjerë. Tani ju jeni magjistratë, gjyqtarë dhe prokurorë. Përsëri do të ballafaqoheni me një rast tjetër ku meritokracia do të bëjë diferencën midis jush. Ju e dini se ne Këshillat në thelb notarizojmë rezultatet tuaja në Shkollën e Magjistraturës sepse është performanca juaj në këto tre vite e cila do të përcaktojë vendimet tona për fillimet e karrierës tuaj. Ja edhe një shembull tjetër që tregon se vlerat personale, performancat personale janë ato që bëjnë diferencën midis njërin dhe tjetrit brenda sistemit. Ju në vazhdimësi në karrierën tuaj do të shikoni se do të jetë përsëri performanca juaj personale që do të bëjë diferencën ne vendimet tona për ecurinë tuaj në karrierë. Ne, Këshillat premtojmë, dhe po flas edhe në emër të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sepse ne punojmë mbi të njëjta bazë ligjore, që vendimet tona mbi karrierën tuaj do të përcaktohen vetëm nga rezultatet e punës tuaj. Është e vërtet se natyra e punës e magjistratit, qoftë ai prokuror apo gjyqtar, është disi si ishullore, në kuptimin që ka të bëj shumë me vetveten dhe me atë dosjen që ka para, por llogarinë e fundit ju e dini se sistemi ka instrumente dhe mekanizma për të dalluar më të mirin. Dhe kjo aftësia jonë për të dalluar më të mirin, do të jetë në themel të vendimeve tona për karrierën tuaj. Padyshim, integriteti mbetet një vlerë tjetër e madhe dhe për këtë kemi mundësi të ofrojmë garanci që s’i kemi pasur në të kaluarën. Ju e dini se në këtë shkollë ju hyni kundrejt verifikimeve të thelluara, sa i takon integritetit tuaj, verifikimet që përsëriten edhe ne përfundim të studimeve në Shkollës së Magjistraturës. Verifikimet do të jenë periodike, të vazhdueshme gjatë gjithë karrierës tuaj. Në këtë mënyre, ne i përgjigjemi angazhimit që kemi marrë para publikut për t’i ofruar tij një klasë të magjistraturës që është sa profesionale aq edhe njerëzore, në kuptimin e integritetit dhe moralit.

Dua t’ju uroj një karrierë plot suksese dhe satisfaksione sepse ju e meritoni!