Vendimet e marra në mbledhjen plenare, 13.10.2020

Në respektim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur ditën e sotme, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line Zoom. Mbledhja është zhvilluar në prani të gjithë anëtarëve dhe të përfaqësuesëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Lidhur me nevojën për një interpretimi të saktë ligjor të dispozitave që rregullojnë kohëzgjatjen e mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshilli miratoi me shumicë votash projektvendimi “Për përllogaritjen e mandatit kushtetues si anëtar i  Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar nё nenet 149, 149/b, 176, pika 6, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 280 të Ligjit nr. 115/2016 Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar,  në referencë të Vendimit nr. 01. dt.19.12.2018 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, vendosi që anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë,  Gent Ibrahimi, anëtar joprokuror (zgjedhur nga trupa e pedagogëve), Sandër Beci, anëtar joprokuror (zgjedhur nga trupa e pedagogëve), Kostaq Beluri, anëtar prokuror (zgjedhur nga asambleja e prokurorëve), Vatë Staka, anëtar prokuror (zgjedhur nga Asambleja e Prokurorëve, duke zëvendësuar mandatin e ish anëtarit, Antoneta Sevdari), Arben Dollapaj, ish-anëtar prokuror (zgjedhur nga Prokuroria e Apelit, aktualisht vend vakant), kanë mandat 3 (tre) vjeçar të siguruar nga shorti i hedhur në mbledhjen e parë të Këshillit, më datën 19 dhjetor 2018, ditë në të cilën kanë filluar të ushtrojnë detyrën si anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Mandati i tyre përfundon më datën 18 dhjetor 2021.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, anëtar joprokuror (i zgjedhur nga shoqëria civile), Bujar Sheshi, anëtar prokuror (i zgjedhur nga Asambleja e Prokurorëve), Esmeralda Keshi, anëtar prokuror (i zgjedhur nga Asambleja e Prokurorëve, duke zëvendësuar mandatin e ish anëtarit, Gent Osmani). Nurihan Seiti, anëtar joprokuror (zgjedhur nga trupa e Avokatisë), Tartar Bazaj, anëtar joprokuror (zgjedhur nga trupa e Avokatisë), Besnik Cani, ish anëtar prokuror (zgjedhur nga Prokuroria e Shkallës së Parë, aktualisht vend vakant), kanë mandat 5 (pesë) vjeçar të siguruar nga shorti i hedhur në mbledhjen e parë të Këshillit, më datën 19 dhjetor 2018, ditë në të cilën kanë filluar të ushtrojnë detyrën si anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Mandati i tyre përfundon më datën 18 dhjetor 2023. Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në faqen zyrtare të Këshillit.

Ashtu si për çdo organ kushtetues, pacënueshmëria e kohëzgjatjes së mandatit të anëtarit është kusht për pavarësinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndërkaq, pavarësia e Këshillit është kusht për realizimin e misionit të tij kushtetues që është garantimi i pavarësisë, llogaridhënies dhe meritokracisë në sistemin e prokurorisë.