Vendimet e marra në mbledhjen plenare, 15.10.2020

Në respektim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur ditën e sotme, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line Zoom. Mbledhja është zhvilluar në prani të gjithë anëtarëve dhe të përfaqësuesëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Me propozim të anëtarit të Këshillit, z. Kostaq Beluri, dhe me miratim të Këshillit, në rendin e ditës u shtua kërkesa për mbarimin e statusit të një prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme, për shkak të dorëheqjes.

Pasi u njoh me relacionet të përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi miratimin e projektakteve për caktimin e përkohshëm të prokurores Ollga Visi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Gjon Fusha, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër, të ushtrojë përkohësisht funksionin  e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër; dhe për caktimin e përkohshëm të prokurores Irena Çunoti, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, të ushtrojë përkohësisht funksionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë.

Gjatë seancës plenare, Këshilli vendosi me shumicë votash, emërimin dhe caktimin në detyrën e Prokurorit të z. Gazmend Frëngu, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec si dhe emërimin dhe caktimin në detyrën e Prokurorit të znj. Enkeleda Hoxha, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës.

Në vijim të përmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me qëllim funksionimin e Komisionit për Vlerësimin e Programit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë  vendosi të caktojë një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, në pozicionin e Anëtarit Zëvendësues në këtë komision, për një periudhë trevjeçare, duke filluar nga data 15 Tetor 2020.

Gjithashtu, Këshilli miratoi projektvendimin për lejimin e veprimtarisë jashtë funksionit, konkretisht qenien ekspert pranë Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore, për prokuroren Enkeleda Millonai, me kusht që veprimtaria jashtë funksionit të mos ushtrohet më shumë se dy orë në javë gjatë orarit të punës.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi që projektvendimi “Për pjesëmarrjen e prokurorëve në aktivitetet trajnuese të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021” si dhe projektvendimi “Për shpalljen e vendeve vakante për drejtues të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë”, do të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.