Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi sot paradite në ambientet e “Polit të Drejtësisë”, ceremoninë e betimit të prokurorëve të rinj, Enkeleda Hoxha dhe Gazmend Frëngu, duke respektuar të gjitha masat e marra për parandalimin e përhapjes se virusit Covid-19.
Më 15.10.2020, Këshilli vendosi emërimin dhe caktimin e znj. Enkeleda Hoxha në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, si dhe emërimin dhe caktimin në detyrën e Prokurorit të z. Gazmend Frëngu, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryeprokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Cela, drejtuesit e prokurorive të rrethit Pogradec dhe Kukës si dhe përfaqësues nga misionet ndërkombëtare OPDAT dhe EURALIUS.
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi përgëzoi dy prokurorët të rinj për emërimin në sistemin e prokurorisë dhe u uroi suksese në rrugëtimin e tyre profesional, duke i garantuar se Këshilli do të jetë krah tyre, përmes një vlerësimi etik dhe profesional të paanshëm, bazuar vetëm në meritokraci. Z. Ibrahimi u shpreh, me këtë rast, se të dhënat nga procesi i vettingut i ngjasojnë një bilanci “lufte”, sa u takon të shkarkuarve.
“Që në ditën e parë të punës, ju paguheni më shumë se Presidenti i Republikës, fakt shumë domethënës. Të dhënat nga vettingu, kur raportohet për drejtësinë, i ngjasojnë një bilanci lufte, sa u takon të shkarkuarve”, tha z. Ibrahimi.
Në vijim, fjala e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi.
Z. Prokuror i Përgjithshëm,
Kolegë anëtarë të KLP-së,
Enkeleda dhe Gazmend,
Miq të ftuar,
Ju falënderoj që jeni sot me ne, në ceremoninë e betimit te prokuroreve te rinj.
Do desha që, në emër të Këshillit, të ndaj me ju, fare shkurt, disa mendime dhe emocione që natyrshëm lindin në momente të tilla.
Është tashmë në praktikën e punës së Këshillit, që t’i japë betimit të prokurorëve të rinj, peshën dhe ceremonialitetin që ai meriton. Momenti i betimit të një magjistrati mbart ngarkesë emocionale pozitive, pasi shënon fundin e një faze të rëndësishme në jetën profesionale të magjistratit dhe fillimin e një faze të re. Si i tillë, betimi është momenti i duhur për reflektime të rëndësishme e të thella, të cilat e shoqërojnë individin për një kohë të gjatë në rrugëtimin e tij profesional.
Betimi juaj është sinteza e standardeve etike e profesionale, përkundrejt të cilave do të vlerësohet puna juaj si prokurore dhe angazhimi juaj si qytetare aktive, deri në fund të karrierës, madje deri në fund të jetës biologjike.
Ju hyni në sistem, në familjen e madhe të prokuroreve të Republikës, në një kohë të vështirë. Për fat të keq, lajmet nga sistemi i drejtësisë vazhdojnë t’i ngjajnë një buletini lufte, me shifra për numrin e te rënëve në vetting, me vështirësi dhe problematika që shkaktohen qoftë nga rënia drastike e numrit të magjistratëve, qoftë nga problemet e trashëguara, rregullatore e infrastrukturore, qoftë edhe nga besimi ende i lëkundur i shoqërisë tek sistemi i drejtësisë.
Natyrisht, që nga viti 2016 e këtej, janë bërë reforma themelore, të cilat e kanë shndërruar figurën dhe profilin e magjistratit. Vetëm për të përmendur disa syresh, do të doja të kujtoja se, që në ditën tuaj të parë të punës, ju paguheni sa ose më shumë se Presidenti i Republikës; se pavarësia juaj garantohet nga një kuadër ligjor bashkëkohor, i cili bën të mundur që performanca juaj në Shkollën e Magjistraturës të jetë faktori përjashtimor që përcakton vendimmarrjen e Këshillit për emërimin tuaj fillestar; se performanca juaj si prokurorë në vijimësi, do të jetë kriteri kryesor që do të përcaktoje ecurinë e mëtejshme në karrierë; se vënia e prokurorit para përgjegjësisë bëhet përmes një procedure që është garantuese për të drejtat e magjistratit, e kështu me radhë.
Por, të gjitha këto nuk janë veçse parakushte. Në fund të fundit, diferencën midis suksesit dhe dështimit në punën tuaj si prokurorë, e vendosni ju.
Unë doja vetëm të theksoj një gjë: Ju nuk do të jeni kurrë vetëm në jetën tuaj profesionale. Do të keni gjithmonë në krahun tuaj, Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Do të jetë detyra jonë që ju të jetoni dhe të punoni në një ambient, ku prevalon meritokracia, integriteti dhe vlera profesionale. Ky është premtimi ynë për ju, ndërsa premtimin tuaj për ne, për familjarët e miqtë tuaj dhe për të gjithë shoqërinë, që do ta bëni sot në formën e një betimi, ne mezi presim ta dëgjojmë.
Ju faleminderit edhe një herë juve për përpjekjen.
Faleminderit pjesëmarrësve dhe familjarëve tuaj!