Vendimet e marra në mbledhjen plenare. 27.10.2020

Në respektim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur ditën e sotme, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Mbledhja është zhvilluar në prani të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Këshilli miratoi projektvendimet për caktimin e përkohshëm të prokurores Afërdita Ndoi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të ushtrojë përkohësisht funksionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës”; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Albert Murçaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër”; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Lazër Çardaku, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të ushtrojë përkohësisht funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër”; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Lorenc Mërkuri, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë”; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Erion Çela, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Asllan Bajramaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Brahim Dragjoshi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër; për caktimin e përkohshëm të prokurorit Ludovik Doda, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës.
Si rezultat i procesit të rivlerësimit kalimtar, në datë 22.10.2020, Komisioni i Pavarur i Apelit ka shkarkuar nga detyra Drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Me qëllim për të plotësuar vendin e lirë përkohësisht të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi projektvendimin për caktimin e përkohshëm të prokurorit Genti Xholi prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, të ushtrojë përkohësisht funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

Këshilli miratoi projektvendimin për pjesëmarrjen të prokurorëve në aktivitetet trajnuese të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021, sipas tabelës bashkëlidhur shkresës së ardhur nga Shkolla e Magjistraturës e cila ka njoftuar se në trajnimet e propozuara janë planifikuar të marrin pjesë gjithsej 7 oficerë të Policisë Gjyqësore, të emëruar pranë Prokurorisë së Përgjithshme si dhe Prokurorive pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë dhe Shkodër. Këta punonjës kanë shprehur interes dhe kanë aplikuar për të qenë pjesëmarrës në aktivitetet trajnuese të Shkollës së Magjistraturës, sipas temave të përzgjedhura.
Gjithashtu, Këshilli miratoi në parim projekt-rregulloren “Për mënyrën e kompensimit për orët shtesë të punës të kryera nga nëpunësit civilë të prokurorisë”. Rregullorja ka si qëllim të plotësojë kuadrin ligjor të nevojshëm për të garantuar kompensimin e orëve shtesë të punës të kryera jashtë orarit zyrtar të punës, në ditët e pushimit dhe të festave zyrtare, në një nga format e parashikuara nga ligji dhe do t’i përcillet për mendim Ministrisë së Financave për shkak të efektit financiar që mund të ketë në buxhetin e shtetit.

Këshilli miratoi listën pjesore të 22 (njëzet e dy) kandidatëve për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, në vitin akademik 2020-2021, si më poshtë: Aida Yzeiraj; Artenida Toska; Besiana Sadikaj; Bledar Bala; Denisa Perdja; Drini Zeqo; Edmond Vorfi; Elona Gixhari; Erjon Murataj; Ermira Prifti; Glenda Zeneli; Irena Sufaj; Jonida Allushi; Lorena Salillari; Malvina Pëllumbi; Maringlen Meta; Nertila Bregu; Nertila Miftaraj; Olsi Vasiu; Silvana Belishta; Valbona Maja; Xhejnsila Hako. Gjatë seancës plenare, Këshilli u njoh me dorëheqjen e kandidatit Arbër Lloshi nga Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2020-2021. Vendimi i tij është i bazuar në arsye plotësisht personale dhe lidhet vetëm me vitin akademik 2020-2021 për të cilin është kualifikuar dhe nuk duhet interpretuar si një dorëheqje e tij nga çdo vit akademik dhe/ose procedurë konkurruese vijuese për magjistrat, për të cilat ai mund të marrë pjesë rast pas rasti.
Me 6 vota pro dhe 3 kundër (anëtarët Esmeralda Keshi, Bujar Sheshi dhe Kostaq Beluri), Këshilli vendosi miratimin i projektvendimit “Për një ndryshim në vendimin nr.171 datë 27.09.2019 “Miratimi i rregullores për procedurën e verifikimit të kushteve të kritereve ligjore për rekrutimin , emërimin si magjistrat dhe caktimin në pozicion të kandidatëve për prokuror”. Këshilli vlerësoi se procesi i vettingut nuk duhet të pengojë e aq më pak të shërbejë si justifikim që Këshilli të mos realizojë procese shumë të rëndësishme për karrierën e prokurorëve ku përfshihet edhe ngritja në detyrë. Në këto procese (të ngritjes në detyrë) ligji i ngarkon në mënyrë eksplicite Këshillit të drejtën dhe detyrën (pra kompetencën) për të kryer verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve dhe më pas të kryejë edhe procedurat e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve. Këtë kompetencë që ligji i ka dhënë Këshillit, ai nuk mund t’ia delegojë një organi tjetër siç është Komisioni i Pavarur të Kualifikimit.

Këshilli miratoi ngritjen e Komisionit ad hoc pёr shqyrtimin e rasteve të qëndrimit publik të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në mbrojtje të figurës së prokurorit, të përbërë nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Kryetarët e Komisioneve të Përhershëm. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë është dhe Kryetari i këtij Komisioni. Komisioni, me nismë ose bazuar në kërkesat e prokurorëve, mund të bëjë deklarata publike në mbrojtje të prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Miratimi i projektvendimit “Për shpalljen e vendeve vakante për Drejtues të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë” është shtyrë deri në momentin kur ndryshimet të miratuara sot në Këshill në vendimin nr.171 datë 27.09.2019 për “Miratimin i rregullores për procedurën e verifikimit të kushteve të kritereve ligjore për rekrutimin , emërimin si magjistrat dhe caktimin në pozicion të kandidatëve për prokuror” do të botohen në fletoren zyrtare.