Në respektim të masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur ditën e sotme, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Mbledhja është zhvilluar në prani të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Me propozimin e Komisionit Disiplinor, Këshilli vendosi me 7 vota pro dhe 2 kundër (Gent Ibrahimi dhe Nurihan Seiti) rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedim disiplinor ndaj magjistrates ____ për shkak se faktet e pretenduara nuk përbëjnë shkelje disiplinore, pasi nga veprimet apo mosveprimet e prokurores, nuk konstatohet ardhja e ndonjë pasoje për palët në procedimin penal.
Pas paraqitjes të raportit të përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin me 7 vota pro dhe 2 kundër (Tartar Bazaj dhe Nurihan Seiti) të relacionit mbi verifikimin e pasurisë dhe figurës të kandidates znj. Oliana Gjergjefi dhe lejimin e kandidates për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, në vitin akademik 2020-2021.
Për dy kandidatura të tjera për këtë program, znj. Anjeza Kalanxhi dhe z. Shiqiri Manjani, Këshilli ka vendosur me 2 vota kundër ( Esmeralda Keshi dhe Alfred Balla ) dhe 7 vota pro për shtyrjen e miratimit të dy relacioneve për arsye se anetareve u nevojitej me shume kohe per tu njohur me dokumentat mbi të cilët janë hartuar këto relacione.
Këshilli vendosi me shumicë votash, të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 28 vendeve vakante për Drejtues prokurorie, përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Njoftimi i vendeve vakante si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit.
Në vijim, Këshilli miratoi caktimin e përkohshëm të prokurores Dorina Bejko, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec dhe z. Lazër Çardaku, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër në funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër për një periudhë tre mujore.
Pasi u njoh me raportet të përgatitura nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit kalimtar, prokurores Daniela Sulaj (Konica) dhe prokurorit Bardhyl Shehu. Një kopje e këtij raporti i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Këshilli miratoi rregulloren mbi funksionimin e komisionit disiplinor në zhvillimin procedurave disiplinore ndaj prokurorëve, e cila ka për qëllim të përcaktojë rregulla të detajuara duke saktësuar procedurën që zbaton Komisioni Disiplinor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në funksion të zhvillimit të procedurave disiplinore, të filluara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ndaj magjistratëve prokuror në Republikën e Shqipërisë, sipas ligjit Për statusin e gjyqtareve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë i ndryshuar dhe rregulloren për transferimin e prokurorëve nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, e cila të përcakton rregulla të detajuara për kriteret dhe procedurën që zbaton Këshilli i Lartë i Prokurorisë për vlerësimin dhe renditjen e prokurorëve që kandidojnë për transferim nëpërmjet procedurës për lëvizje paralele, sipas ligjit Për statusin e gjyqtareve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.