Gent Ibrahimi: Mos ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit pengoi punën e Prokurorisë së Posaçme
Shohim që SPAK për shkak të ligjit për funksionimi e saj, është e detyruar të hetojë edhe ashtu quajtur “korrupsion të vogël” deri aty tek një ryshfeti 10 mijë lek të vjetra që një qytetari tenton t’ia japë policit rrugor. A është normale kjo gjë dhe a ka nevojë të rishikohet ligji për kompetenca e kësaj prokurorie?
“ Mua tani më vjen keq se vajti një kohë relativisht të gjatë që flasim për këtë çështje dhe ende nuk ka një lëvizje legjislative. Është qartësisht gabim që portofolin e çështjeve të cilat hetohet nga Prokuroria e Posaçme të ketë në përbërje të tij dhe hetimi i korrupsionit të vogël. Korrupsioni i vogël është endemik qoftë për arsye kulturore, qoftë nga mënyra e funksionimit të institucioneve tona dhe është e vërtet e gabuar që forcës së elitës së prokurorisë t’i veshësh edhe hetimi e këtij grupi çështjesh të cilat janë të shumta në numër, por hetimi i të cilave nuk është se ka ndonjë impakt të madh në mënyrën sesi qeveriset ky vend. Prokurorisë elitë i duhen rezervuar vetëm hetimi i çështjeve që janë vërtet të komplikuara. Është një çështje e cila është ngritur disa herë në disa forume dhe do të duhet që qeveria ta vë përpara si një objektiv të reformës legjislative shumë shpejt. Është e pajustifikueshme që kjo çështje të mos adresohet në muajt e para të 2021. Do të duhet që parlamenti të miratoi sa më shpejt, ndryshimet të nevojshme legjislative në kodin e procedurës penale për të mundur që SPAK të fokusohet aty ku gjithë ne dëshirojmë, pra tek krimi i organizuar dhe korrupsionit i niveleve të larta.
Vonesa në ngritjes së BKH-së a ka pasur ndikim në rezultatet e deritanishme të SPAK?
SPAK-ut sot që flasim i mungon forca e specializuar policore e cila merret kryesisht me hetime. Në praktikën e punës së prokurorisë, pjesa më e madhe e punës hetimore bëhet nga oficerë të policisë gjyqësore dhe ky është një model i cili pa dyshim, do të shfaqet edhe në punën e SPAK-ut, megjithëse natyra e veprave penale që heton SPAK është e tillë ku prokurori priret të jetë më aktiv. Pra, edhe prokurori vet, sidomos në rastin e korrupsionit është më aktiv në hetim sa është në vepra të tjera penale, por fakti mbetet. Fakti që forca e specializuar policore ende nuk është aktive, për pasojë është e drejtë të arsyetosh që kjo ka pasur pasoja mbi rendimentin dhe cilësinë e punës së Prokurorisë se Posaçme.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli ka shpallur listën e kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet ligjorë për të kandiduar për pozicionin e drejtuesit të prokurorisë. Gjithashtu, Këshilli ka vendosur se këta kandidatë, për të marrë pjesë në garë, nuk e kanë kusht të domosdoshëm të kenë kaluar procesin e vettingut me vendim të formës së prerë. Pse ky vendim? Mendoni se do të ketë përplasje midis KLP dhe institucionet e vettingut të cilat merren aktualisht me ketë proces?
Faleminderit që ma bëni këtë pyetje sepse jam përpjekur disa herë për ta sqaruar por nuk kam qenë i suksesshëm kështu që çdo mundësi që më jepni e vlerësoj. Nuk është se ka thënë këshilli I lartë I prokurorisë që nuk do të presim vetting përpara se të ecim përpara me vendimmarrjen tonë për emërimin e drejtuesve të prokurorive. Këtë e thotë ligji, ligji thotë që nuk është domosdoshme që dikush të ketë kaluar vettingun në mënyrë që të kandidojë për postin e drejtuesit të prokurorisë. Në këto kushte ne nuk mund të bëjmë veçse këtë, pra të hapim garën për drejtuesit e prokurorive pa qenë e nevojshme që kandidatet të kenë kaluar procesin e vettingut. Sidoqoftë ne e kuptojmë mundësinë e përplasjes së një rezultati të ndryshëm nga ia institucioneve të vettingut dhe në këto kushte në jemi shumë të interesuar, të parat në radhën e atyre që janë të interesuar për të eliminuar çdo lloj diskordance midis rezultateve te punës tonë dhe rezultateve të punës së vettingut. Mënyra se si shpresojmë ta bëjmë ketë është duke u bërë prezentë organeve të vettingut se ne kemi nisur një proces i cili është procesi i përzgjedhjes , i pikëzimit dhe në fund fare, i emërimit të drejtueseve të prokurorive. Është një proces i cili do të zgjasë 5-6 muaj sepse edhe ne bëjmë vettingun tone. Pra krahas atij vettingut të jashtëzakonshëm që kryejnë organet e vettingut sot edhe këshillat ai gjyqësor dhe ai i prokurorisë, bëjnë vetting në raste të tilla. Kuptohet që thellësia e hetimeve tona nuk ka të krahasuar me thellësinë e hetimeve që bëjnë organet e vettingut kështu që në këto kushte, ne e dimë që rezultati i punës së tyre është me produktiv, me ekzigjent se sa i yni. Por ne do të përpiqemi të rakordojmë më ta duke i bëre të qartë atyre se ne sot fillojmë një proces i cili zgajt 5-6 muaj. Të gjithë ata njerëz që kandidojnë për drejtues të zyrave të prokurorisë janë tashmë në procesin e vettingut, disa prej tyre janë në një fazë të avancuar të procesit te vettingut. Në rast se ne ju bëjmë me dije institucioneve të vettingut që sot ne fillojmë një proces 6 mujor i cili do të shpjerë në fund në emërimin e drejtuesve te zyrave te prokurorisë, ne kemi të drejtën të shpresojmë që vettingu do të bëje një lloj prioritizimi të këtyre subjekteve në mënyrë që rezultatet ti kemi në të njëjtën kohë dhe kështu nuk rrezikojmë të kemi përplasje mes nesh.