Takimi i kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, me Institutin për Studime Publike & Ligjore

Sot kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, priti në një takim përfaqësues të Institutit për Studime Publike & Ligjore (ISPL). Në takim mori pjesë edhe Drejtuesja e Njësisë së Shërbimeve të Përgjithshme Ligjore, znj. Danja Hobdari.

ISPL po zbaton një projekt 2-vjeçar të quajtur “Të gjithë sytë mbi drejtësinë”. Projekti është financuar nga programi MATRA i qeverisë së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Qëllimi i projektit është monitorimi i zbatimit të masave të adoptuara në kuadër të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021 – 2025 (SND).

Duke qenë se nuk ka ende një plan veprimi të SND-së, zbatimi i të cilit mund të monitorohet, z. Ibrahimi,  i kërkoi përfaqësuesve të ISPL asistencë për përmirësimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit 2021 – 2024 të Këshillit.

Gjithashtu ISPL ofroi mundësinë e këshillimit lidhur me aspektet e strategjisë/planit të veprimit të Këshillit, të cilat mundet të migrojnë në planin e veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.

Nga ana e tij, zoti Gent Ibrahimi, u premtoi përfaqësuesve të ISPL akses të papenguar në bazën e të dhënave të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që paraqet relevancë për planin e veprimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.