Memorandum Mirëkuptimi mes Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)

Është nënshkruar ditën e sotme Memoradumi i Mirëkuptimit mes Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për Programin për zhvillimin e lidershipit LEAD Albania. Ky program synon t’u sigurojë profesionistëve të rinj dhe të talentuar shqiptarë përvoja të drejtpërdrejta në proçesin e qeverisjes së Shqipërisë.

Memorandumi i nënshkruar nga kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi si dhe Drejtorëve Ekzekutivë të AADF-së, z. Martin Mata dhe z. Aleksandër Sarapuli, parashikon angazhimin e palëve për një marrëdhënie bashkërenduese e bashkëpunuese për zbatimin e programit LEAD Albania, që nga përzgjedhja, trajnimi e deri tek përvoja një vjeçare, në pozicionin e këshilltarit, të pjesëmarrësve të sugjeruar nga programi.

Zoti Ibrahimi shprehu konsideratën e tij të lartë për këtë bashkëpunim duke e cilësuar këtë memorandum si thelbësor për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të vendit, përmes profesionistëve me njohuri të thella mbi mirëqeverisjen e administratën, njohuri të përfituara edhe nga përvoja direkte në nivelet drejtuese të institucioneve qeverisëse të vendit.

Bashkëdrejtori ekzekutiv i AADF-së, z. Martin Mata nënvizoi se programi LEAD Albania zbatohet suksesshëm prej vitit 2013 duke vendosur çdo vit pjesëmarrës të Programit në kabinetet e institucioneve më të larta të Shqipërisë, të Presidentit, Kryeministrit, Ministrave dhe Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe prej këtij viti nis bashkëpunimi me institucionet e reja të dala nga reforma në drejtësi.