Intervista e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, për televizionin Ora News

Zoti Ibrahimi, meqenëse po diskutohet për disa rregullime në paketën e reformës në drejtësi, konkretisht në reduktimin e veprave që do të ndiqen nga SPAK, cili është mendimi juaj dhe çfarë ndikimi do të ketë kjo për SPAK-un. A janë të nevojshme rregullime të tjera?

Gent Ibrahimi: Kjo që thoni ju është e saktë. Në vijim është një proces i rishikimit të disa ligjeve, të cilat qëndrojnë në themel të organeve të reja të reformës në drejtësi. Janë rreth dy vite që organet e reja të drejtësisë janë në punë. Janë identifikuar disa problematika, sepse ligjet, sa do mirë që të mendohen, kur vihen në zbatim, atëherë evidentohen edhe problematikat. Nga pikëpamja kohore, jemi në kohën e duhur. Të paktën, Këshillat kanë më shumë se dy vite në punë, ndërsa SPAK ka më shumë se një vit në detyrë. Ndryshimet ligjore janë propozuar në disa drejtime; një drejtim ka të bëjë edhe me portofolin e veprave penale që hetohen dhe çohen për gjykim nga SPAK. Ky ka qenë një problem i perceptuar nga të gjithë (edhe nga publiku i gjerë), pra fakti që shpeshherë, SPAK detyrohet të merrej me çështje të vogla. SPAK është një forcë elitë e prokurorisë, e ndërtuar me kujdesin më të madh, duke filluar që me përzgjedhjen e njerëzve, financimin e tyre, në pajisjen me një polici të posaçme gjyqësore. Gjithë këto përpjekjet të mëdha tregojnë qartë qëllimin  e legjislatorit për të ndërtuar një forcë elitë. Lajmi i mirë është se sot në tryezë ka një propozim për ta kufizuar angazhimin e SPAK-ut me çështje të vogla. Zgjidhja që është propozuar është që SPAK të merret vetëm me ato çështje të korrupsionit mbi pesë milionë lekë. Kjo është një përpjekje për t’i përqendruar burimet të specializuara të SPAK-ut drejt çështjeve që kanë rëndësi vërtetë, dhe zgjidhja e të cilave çon një mesazh të rëndësishëm tek publiku. Unë personalisht mendoj se mund të ishte edhe një zgjidhje më drastike, që SPAK të hetonte vetëm ato raste të korrupsionit, kur në to përfshihen vetëm funksionarë të lartë të shtetit. Por, sidoqoftë, edhe kjo është një zgjidhje e mirë. Është një propozim i mirëpritur dhe shpresoj që Kuvendi do ta miratojë.

Nga problematikat që keni hasur këto dy vite, a ka nevojë për ndryshime të tjera dhe a është marrë mendimi juaj si Këshill, në lidhje me këto ndryshime?

Gent Ibrahimi: Ndryshimet janë të nevojshme në disa rrafshe. Çdo institucion është në gjendje të tregojë me saktësi ndryshimet që janë të nevojshme në fushën e tij të veprimit. Edhe ne, si Këshill, mund të flasim me siguri për nevojën e ndryshimit në disa drejtime. Kemi përgatitur një material paraprak që ia kemi vënë në dispozicion të Ministrisë së Drejtësisë, ku kemi evidentuar nevojën për ndryshime në ligjet e reformës, kryesisht në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, por edhe në ligjin  për organet të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Disa prej tyre gjenden në propozimin final që i është çuar Kuvendit nga qeveria, jo të gjitha, për fat të keq, prandaj mendoj se ka ende vend për një rishikim të ligjit për statusit, kryesisht.

Konkretisht, cilat ishin propozimet të KLP-së për ndryshimet në ligjin për statusin e prokurorëve?

Gent Ibrahimi: Propozimet tona kishin të bënin kryesisht me një aspekt të veprimtarisë së Këshillit, që ka të bëje me vettingun e kandidatëve për prokurorë, para se ata të hynin në Shkollën e Magjistraturës. Këshilli bën një vetting para se këta kandidatë të futen në Shkollën e Magjistraturës si dhe pas saj. Ne kemi sugjeruar që kandidatët për Shkollën e Magjistraturës, për të cilët ligji kërkon të kenë një përvojë pune prej tre vitesh, para se ata të hyn në shkolle, kjo përvojë të mbetet në ligj, por të konsumohet pasi të mbarojnë Shkollën e Magjistraturës dhe të punojnë brenda sistemit të drejtësisë si ndihmës pranë gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë, dhe jo si funksionarë publikë dhe juristë në sektorin privat. Them kështu, sepse ndonjëherë, puna në disa sektorë delikatë, të ekspozuara ndaj korrupsionit afekton dhe këta kandidatë për magjistratë të ardhshëm mund të marrin një trashëgimi morale të papërshtatshme, që mund ta sjellin me vete në sistem e drejtësisë, ku çështja e integritetit është shumë delikate. Pikërisht, për hir të integritetit të munguar në të kaluarën, Shqipëria po bën një reformë me sakrifica të mëdha, sikundër është vettingu.

Ne kemi menduar se kjo është një zgjidhje e mirë, por fatkeqësisht nuk është marrë parasysh. Ka pasur propozime edhe për një rishikim të pjesshëm të statusit të anëtarëve të Këshillave. Aktualisht ka një ndalim për anëtarët prokurorë të Këshillit, për t’u promovuar ose për të bërë lëvizje paralele për tre vite pas mbarimit të mandatit si anëtar në Këshill. Po shikohet se ka një lloj problematike sa i përket atraktivitetit të shërbimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Jo domosdoshmërisht prokurorët më të mirë janë të interesuar për të ardhur dhe shërbyer në Këshill, sepse për tre vite më pas, do t’u duhet të jenë  në një lloj “frigoriferi” për sa i përket karrierës së tyre, duke lënë mënjane ambiciet e tyre për karrierë. Kjo, ndonjëherë, bëhet shkas për të lënë mënjanë disa kandidatë të mirë. Ky është një argument, i cili vlen pjesërisht edhe për kandidatët jo-prokurorë, të cilët nuk kanë perspektivë karriere në përfundim të mandatit. Edhe këto kanë qenë disa propozime tonat, të cilat, gjithashtu, nuk kanë gjetur vend në propozimet zyrtare të qeverisë.

Meqenëse jemi tek vettingu, në verën e vitit 2022 përfundon mandati i institucioneve të vettingut (KPK dhe KPA) dhe procesi i vettingut do të bëhet nga Këshillat. Keni ju kapacitete të mjaftueshme? Apo, ndoshta, është më mirë të zgjatet mandati i këtyre institucioneve, të cilat e kryejnë aktualisht këtë proces?

Gent Ibrahimi: Unë mendoj se e vetmja zgjidhje e arsyeshme është zgjatja e mandatit të komisioneve të institucioneve të vettingut. Këshillave nuk iu mungon vetëm kapaciteti teknik, por, çfarë është më e rëndësishme, mentaliteti për ta kryer këtë punë. Organet e vettingut janë konceptuar dhe ndërtuar si organe që do të kishin një qasje ndëshkimore ndaj sistemit të drejtësisë. Ato janë krijuar për të gjetur shkelje në nivelin e integritetit, profesionalizmit dhe pasurisë së magjistratëve. Është ndryshe mentaliteti i Këshillave, të cilat janë krijuar, në radhë të parë, për të mbrojtur interesat e prokurorëve dhe gjyqtarëve, natyrisht duke i balancuar këto me interesat e shoqërisë. Për këto problematika që evidentova, mendoj se zgjatja e mandatit të institucioneve të vettingut është zgjidhja më e mirë. Sa për kapacitetet teknike, kjo zgjidhet, mjafton të transferosh të gjitha burimet njerëzore dhe materiale pranë Këshillave, por mbetet problemi i mentalitetit. Mbetet dhe problemi i forumit të gjykimit; Këshillat gjykojnë gjithmonë me forum të plotë, me 11 anëtarë. Ndërsa, organet e vettingut gjykojnë me trupa gjyqësore prej tre anëtarësh. Në këto kushte, ritmi i vettingut do të kalonte në kalendat greke. Ky është një tjetër argument, përse kompetencat e organeve të vettingut nuk duhet të ushtrohen nga Këshillat.

Duke ndjekur zbatimin e reformës në drejtësi, si e vlerësoni rolin e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili duket krejt në hije, me një rol më tepër honorifik? Ky është një shqetësim i shprehur edhe  nga vetë ai, gjatë deklarimeve publike.

Gent Ibrahimi: Nuk mendoj se roli i Prokurorit të Përgjithshëm në administrimin e sistemit të prokurorisë është një rol honorifik, por do të thosha se, ndryshe nga gjyqësori, që qeveriset nga një dorë e vetme (që është Këshilli i Lartë Gjyqësor), sistemi i prokurorisë bashkëqeveriset nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Madje, në këndvështrim numerik,  kompetencat e Këshillit janë më të pakta se ato të Kryeprokurorit. Këshilli i Lartë i Prokurorisë merret vetëm me karrierat e prokurorëve, merr vendime lidhur me numrin e pranimeve në Shkollën e Magjistraturës, vendime për emërimet, transferimet, ngritjen në detyrë, ndëshkimin e prokurorëve, në rastet kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka gjetur shkelje në punën e tyre. Kjo është paketa e kompetencave të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Nga ana tjetër, Prokurori i Përgjithshëm është përgjegjës për buxhetin dhe menaxhimin e tij në të gjithë sistemin e prokurorisë; është përgjegjës për menaxhimin e burimeve njerëzore administrative në të gjithë sistemin e prokurorisë; për gjenerimin e statistikave, pa të cilat nuk mund të ketë politikëbërje në asnjë fushë dhe, për pasojë, as në sistemin e prokurorisë; është përgjegjës për sistemin e menaxhimit të çështjeve. Këto janë çështje madhore të administrimit të sistemit të prokurorisë, që janë kompetencë e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai ka dhe kompetenca të tjera, të cilat ndihmojnë Këshillin. Pra, në vendimet tona për ngritjen në detyrë apo lëvizjen paralele të prokurorëve, ne u referohemi statistikave të përpiluara sistematikisht nga Prokurori i Përgjithshëm.

Të kthehemi tek një çështje aktualiteti, tek arrestimi i gjyqtares Enkeleida Hoxha. Kemi edhe rastin e prokurorëve, të cilët nuk i kanë kundërshtuar vendimmarrjet e gjyqtares. A ka nevoje për një kontroll mbi punën e prokurorëve, nisur nga kjo dukuri?

Gent Ibrahimi: Do të më mirëkuptoni, nëse nuk do të shprehem me detaje në lidhjen me pyetjen tuaj. Çështja e prokurorit të Krujës, i cili është i përfshirë në cilësinë e tij si prokuror, në vendimmarrjet të gjykatës, është në shqyrtim si një çështje disiplinore e sjellë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Inspektori ka parë shkelje edhe tek prokurori. Sipas tij, këto janë shkelje që justifikojnë ndëshkimin dhe Këshilli po shqyrton (si gjykatë) pretendimet e Inspektorit dhe ato të prokurorit, në anën tjetër. Ne kemi seancën dëgjimore me Inspektorin dhe prokurorin në datën 16 mars, prandaj do të më mirëkuptoni (në këtë rast), nëse nuk shprehem më shumë.  

A ka nevojë për një kontroll të dosjeve të prokurorëve? Të paktën, për dosjet e kësaj natyre, apo Këshilli nuk e ka këtë kompetencë?

Gent Ibrahimi: Jo, Këshilli nuk e ka këtë kompetencë. Ajo që ju quani “kontroll i dosjeve”, juridikisht quhet “inspektim tematik”. Këto lloje inspektimesh janë kompetencë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Natyrisht, t’i kërkosh aq shumë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në këtë fazë të hershme të funksionimit të institucionit, kur ata janë të mbytur me ankesa individuale dhe me raste individuale, pra të kërkosh që ata të jenë në gjendje të bëjnë edhe inspektime tematike kaq shpejt, ndoshta është pak optimiste, por shqetësimi që ju ngrini, pra identifikimi i shkeljeve sistematike në punën e prokurorisë ose gjykatës, është objekt i punës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të cilin ligji e ka bërë përgjegjës për inspektimet tematike.

Si i keni marrëdhëniet me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, kur një vendim i mëparshëm i tij është rrëzuar nga Këshilli dhe çështja është aktualisht në gjykim në Gjykatën Administrative?

Gent Ibrahimi: Pa dyshim, këto janë marrëdhënie që kanë brenda farën e tensionit. Por, këtu nuk ka ndonjë çudi. Vetë ligjvënësi e ka konceptuar marrëdhënien midis Këshillave dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një marrëdhënie që i ngjan asaj midis prokurorit dhe gjykatësit, kur prokuroria kërkon më shumë, ndërsa gjykata i jep më pak. Besoj se ky model ndërveprimi do të transferohet edhe në marrëdhënien midis Këshillave dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Mendoj, se kjo është mënyra më e mirë për të bërë dy gjëra: të ndëshkosh aty ku është vendi, por, nga ana tjetër, të garantosh maksimalisht të drejtat procedurale dhe njerëzore të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo formulë besoj se do të japë rezultate shumë shpejt. Fakti që një propozim i Inspektorit nuk pranohet nga Këshillat, është në logjikën e kësaj marrëdhënieje, të këtij  tensioni të shëndetshëm që ka dashur dhe ka realizuar legjislatori.

A ka pasur raste, kur prokurorët janë ndjerë të kërcënuar për shkak të detyrës dhe kanë kërkuar mbrojtje nga Këshilli?

Gent Ibrahimi: Po, ky është një aspekt i punës së Këshillit, aspak i këndshëm (më duhet të them), por është në përgjegjësinë tonë në ato raste, kur prokurorët perceptojnë ose kanë informacione lidhur me rreziqet që atyre iu kërcënohen për shkak të punës. Në të tilla raste, ata mund të kërkojnë mbrojtje nga Këshilli, i cili i shqyrton këto kërkesa përmes një komisioni të posaçëm, i cili ka në përbërje të tij një përfaqësues nga Këshilli (i cili e drejton), si dhe përfaqësues nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Policia e Shteti.

Komisioni bën një lloj kërkimi më të gjerë edhe me organe të tjera të sigurisë, për të kuptuar, nëse kërcënimet janë reale dhe shpeshherë del me vendime për mbrojtjen e prokurorëve me truproja, mbrojtje që zgjat në varësi të kohëzgjatjes së kërcënimit. Nuk është një numër i madh, por nuk besoj se gaboj në shifra, nëse them se, gjatë vitin 2020, nuk kemi pasur më shumë 5-6 raste për mbrojtje të prokurorëve, të vendosura nga ky komision.

Duke pasur parasysh atë që ndodhi me dosjen 184 dhe, meqenëse jemi në prag zgjedhjesh, a rrezikohet të përsëritet më 25 Prill kjo dukuri?  Cili është roli i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që të kemi hetim dhe ndëshkim rrënjësor për cenimin e votës?

Gent Ibrahimi: Zgjedhjet janë një ngjarje e rëndësishme jo vetëm politike, pasi pasojat që vijnë nga zgjedhjet janë në disa plane. Në mënyrë që këto zgjedhje të zhvillohet brenda normave duhet të ndërveprojnë shumë institucione. Ne si Këshill nuk kemi një rol në këtë rast. Është propozuar që hetimi dhe gjykimi i veprave penale që lidhen me zgjedhjet të kalojë te SPAK (që është një propozim i mirëpritur), sepse në këto vepra kryesisht përfshihen funksionarë të lartë politikë. Prandaj, është e udhës që hetimi dhe gjykimi i tyre të bëhet nga SPAK. Aty i kemi burimet më të mira njerëzore si dhe kurajon qytetare për ta bërë këtë.