AKTIVITETEPËR MEDIAT

Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 18.03.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 18.03.2021, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Mbledhja u zhvillua në prani të të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësuesëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Me propozim të z.Vatë Staka dhe me miratimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit, rendit të ditës iu shtua propozimi për miratimin e renditjes së kandidatëve për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, dhe Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan.

Në përfundim të procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës së znj. Elizabeta Imeraj, kandidate për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, dhe z. Kreshnik Ajazi, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan, Këshilli vendosi unanimisht miratimin e renditjes së kandidatëve për pozicionet e sipërpërmendura, pavarësisht se për këto pozicione ka pasur vetëm një kandidat.

Duke iu përmbajtur rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi çështjet si vijon:

Bazuar në kërkesën dhe materialet e dërguara nga Shkolla e Magjistraturës dhe relacionin e përgatitur nga Komisioni i Planifikimit Strategjik të Administrimit dhe Buxhetit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e relacionit për pjesëmarrjen e prokurorëve në aktivitetet trajnuese të Shkollës së Magjistraturës për periudhën prill-korrik 2021. Në aktivitetet trajnuese do të marrin pjesë prokurorë nga prokuroritë e Rretheve, prokuroritë e Apelit, Prokuroria e Përgjithshme si dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Me 10 (dhjetë) vota pro dhe 1 (një) kundër ( z. Tartar Bazaj ), Këshilli vendosi rrëzimin si të pabazuar në ligj, të kërkesës së prokurorit Albert Kuliçi për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Udhëzimit të Përgjithshëm Nr.16, datë 14/12/2020 “Për disa ndryshime në Udhëzimin e Përgjithshëm Nr.12, datë 20/07/2020 “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”, të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe të Udhëzimit të Përgjithshëm Nr.12, datë 20/07/2020 “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”, të ndryshuar, të Prokurorit të Përgjithshëm.

Në ankesën e tij, depozituar pranë Këshillit në datë 29.12.2021, prokurori Albert Kuliçi pretendon se Udhëzimi i Përgjithshëm është nxjerrë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe nga një organ, i cili nuk e ka këtë kompetencë. Si i tillë, ky është akt “absolutisht i pavlefshëm”. Sipas z. Kuliçi, përmes këtij udhëzimi, i cili është i detyrueshëm për zbatim, Prokurori i Përgjithshëm ka bërë të detyrueshme për zbatim, edhe udhëzimet që nuk janë të tilla (të detyrueshme), duke marrë kompetencën e drejtuesit të prokurorisë në ushtrimin e ndjekjes penale, si dhe duke parashikuar rregulla të reja proceduralë.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli vendosi miratimin e lejes prindërore për prokuroren Aida Cakaj, për periudhën nga 20.03.2021 deri më 20.07.2021.

Gjithashtu, Këshilli vendosi për tre caktime të përkohshme në pozicionin e Drejtuesit të  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, dhe konkretisht:

Z. Abaz Muca caktohet përkohësisht në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Mat; Z. Rifat Kojku caktohet përkohësisht në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër; Z. Anton Martini caktohet përkohësisht në pozicionin e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.

Pasi u njoh me relacionin shpjegues, Këshilli vendosi se, miratimi i veprimtarisë jashtë funksionit për prokurorin Bledar Mustafaraj, nuk është në kompetencën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo, për shkak se, më 12.03.2021 Këshilli ka vendosur komandimin e tij në pozicionin e Përgjegjësit të Sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë, për një periudhë 2 (dy) vjeçare.