Vendime të marra në mbledhjen plenare, më 31.03.2021


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot, më 31.03.2021, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line, në prani të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Duke iu përmbajtur rendit të ditës, me 10 (dhjetë) vota pro dhe 1(një) kundër, Këshilli vendosi pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë i Drejtësisë, datë 15.01.2021, për shkarkimin nga detyra të magjistratit B. M , me detyrë prokuror
në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Vendimi i arsyetuar me shkrim do t’i njoftohet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe subjektit B.M, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e shpalljes. Kundër vendimit lejohet ankim sipas ligjit, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, ndërsa afati fillon nga data e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Në mbledhjen plenare të datës 29 dhjetor 2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte shpallur 24 vende vakante, të cilat do të plotësohen nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele. Pas përfundimit të afatit të aplikimit më datë 20.01.2021, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës filloi punën për verifikimin e plotësimit të
kushteve ligjore nga ana e kandidatëve. Në përfundim të këtij procesi, me datë 02.02.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi listën e kandidatëve.
Sot, Këshilli miratoi renditjen e kandidatëve për transferim, përmes lëvizjes paralele, për 21 pozicione vakante në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm pranë gjykatave së Shkallës së Parë dhe të Apelit, të shpallura si vijon:
3 pozicione vakantë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë; 2 pozicione vakantë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Durrës; 1 pozicion vakant në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Shkodër; 1 pozicion vakant në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë; 6 pozicione vakantë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë, Tiranë; 3 pozicione vakantë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë, Durrës; ; 3 pozicione vakantë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë, Elbasan; 1 pozicion vakant në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Krujë dhe 1 pozicion vakant në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lushnje.
Vendimet hynë në fuqi menjëherë dhe publikohen në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sikurse kundër tyre mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga dita e njoftimit (të vendimit).

Në përfundim te mbledhjes, Këshilli vendosi miratimin e komenteve dhe kundërshtimeve ndaj Raportit të vlerësimit paraprak të kandidatëve që kanë aplikuar për pranimin në Formimin Fillestar, në vitin akademik 2021 -2022, profili Prokuror në Shkollën e Magjistraturës.