Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilluai sot, më 14.04.2021, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line, në praninë e të gjithë anëtarëve të tij si dhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Me shtatë vota pro dhe katër kundër ( z. Alfred Balla, znj. Esmeralda Keshi, znj. Nurihan Seiti dhe z. Vatë Staka ), Këshilli vendosi shtyrjen e vendimmarrjes për mbajtjen e një qëndrimi publik, në mbledhjen plenare të radhës, për arsye proceduriale, të cilat lidhen kryesisht me administrimin nga ana e anëtareve të një peticioni të nënshkruar nga 50 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, në mbështetje të kërkesës së Drejtueses Imeraj.
Ndërkohë, me shumicë votash, Këshilli vendosi rrëzimin e propozimit për anullimin e Vendimit Nr.92, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për shpalljen e pozicionit vakant Nr. 3, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, shpallur me vendimin Nr. 329, datë 29.12.2020 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Duke iu përmbajtur rendit të ditës, Këshilli vendosi miratimin e veprimtarisë jashtë funksionit të znj. Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si eksperte/lektore në dy trajnime (gjatë muajit prill), me kusht që (veprimtaria jashtë funksionit) të mos ushtrohet më shumë se dy orë, gjatë orarit të punës.
Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi tre caktime të përkohshme:
- Caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër, të z. Gjon Fusha;
- Caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, të znj. Ollga Visi;
- Caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, të znj. Irena Çunoti.
Në vijim, Këshilli miratoi me shumicë votash raportet për vlerësimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit: z. Arben Sharra, znj. Riselda Fishta, z. Gentian Stoja dhe z. Hektor Mushi. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet menjëherë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.