Takim i Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkëlqesisë së Saj Zonjës Yuri Kim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë

Sot, më 19.04.2021, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kryesuar nga Kryetari, zoti Gent Ibrahimi, zhvilluan një takim zyrtar në ambientet e Këshillit, me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim. Tema e takimit ishte pavarësia, llogaridhënia dhe disiplina e prokurorëve.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjendet në një fazë të rëndësishme dhe delikate të punës së tij. Prej Këshillit kërkohet garantimi i parimit të meritokracisë në procesin e emërimit të drejtueseve të zyrave të prokurorisë, në emërimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe në procesin e transferimit të prokurorëve. Kjo mënyrë pune do të shënojë një fillim të ri, me rezultate të pritshme në cilësinë profesionale dhe integritetin e prokurorëve.
Takimi i sotëm me ambasadoren amerikane, znj. Yuri Kim, shërben si një mundësi për të pohuar edhe njëherë rëndësinë e këtij procesi, në të mirë të sistemit të prokurorisë dhe të shoqërisë. Zoti Ibrahimi theksoi se, kryefjala e angazhimit të Këshillit mbetet reformimi i sistemit të prokurorisë si një element kyç në forcimin e sundimit të ligjit dhe në rritjen e besimit të publikut tek institucionet ligjzbatuese.
Ambasadorja Kim theksoi se ky është një moment kyç për reformën në drejtësi, dhe se institucionet e reja duhet të demonstrojnë pavarësi, integritet dhe guxim, duke u rezistuar presioneve.