Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot, më 11.05.2021, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Mbledhja është zhvilluar në prani të të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësuesëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Me propozim të z. Sandër Beci dhe me miratimin e të gjithë anëtarëve, rendit të ditës iu shtua propozimi për caktimin me short të dy relatorëve nga anëtarët e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, për fillimin e procedurës së ngritjes në detyrën e Drejtuesit për kandidatet që kanë kaluar procesin e verifikimit. Pas hedhjes së shortit është caktuar z. Moisi Duda si relator për pozicionin vakant i Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe z. Vatë Staka si relator për pozicionin vakant i Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.
Duke iu përmbajtur rendit të ditës, Këshilli vendosi me shumicë votash, për caktimin e përkohshëm të z. Lazër Çardaku në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër.