Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi është takuar në Prishtinë me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim, Kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të Republikës së Shqipërisë, Gent Ibrahimi.

Kryesuesi Maloku fillimisht e ka njoftuar Kryetarin Ibrahimi për punët dhe aktivitetet që janë duke u realizuar në sistemin prokurorial, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë, duke potencuar se është i përkushtuar në zbatimin e misionit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjithashtu, dy bashkëbiseduesit, kanë diskutuar për  çështjet me interes të përbashkët si dhe për shkëmbimin e përvojave për reformat në sistemin e drejtësisë.

Kryetari Ibrahimi, theksoi se reforma në drejtësi në Shqipëri fillimisht ka pasur disa pengesa, të cilat janë tejkaluar dhe tani ky proces është duke shkuar në rrugën e duhur, duke potencuar se është i gatshëm të ofrojë mbështetjen e tij profesionale dhe institucionale për reformat e parapara në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Dy bashkëbiseduesit vlerësuan se konsolidimi i institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfshirë një shërbim efikas të sistemit prokurorial, janë baza për një sundim të fortë të ligjit duke iu dhënë besim qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Në përmbyllje të takimit, Kryesuesi Maloku dhe Kryetari Ibrahimi, u shprehën se do të intensifikojnë takimet në bazë të zhvillimit të dinamikës së punëve, me qëllim të shkëmbimit të përvojave në reformat në drejtësi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë personat në Kosovë. Këshilli Prokurorial i Kosovës siguron që Prokurori i Shtetit të jetë i pavarur, profesional, i paanshëm dhe pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë gjinore. Këshilli Prokurorial i Kosovës do të rekrutojë, propozojë, avancojë, transferojë, disiplinojë prokurorët në mënyrën e rregulluar me ligj. Këshilli do t’i japë përparësi emërimit për prokurorë të anëtarëve të komuniteteve të nën përfaqësuara në mënyrën e përcaktuar me ligj. Të gjithë kandidatët duhet t’i plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj. Përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe dispozitat për emërimin, shkarkimin, mandatin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës, rregullohen me ligj.