Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot, më 18.05.2021, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Mbledhja është zhvilluar në prani të të gjithë anëtarëve si dhe të përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Me shumicë votash, Këshilli vendosi kthimin e relacioneve në Komisionin e Zhvillimit të Karrierës, për ndërprerjen e caktimit të përkohshëm të z. Genti Xholi, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe të znj. Anita Jella, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës. Vendimi për ndërprerjen e caktimit të përkohshëm do të bashkohet me vendimin për emërimin përfundimtar të dy kandidatëve për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë dhe kalon për seancën plenare të radhës.
Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi renditjen formale për vendin vakant të Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, të z. Genti Xholi (aktualisht i caktuar përkohësisht Drejtues në këtë prokurori) dhe të znj. Anita Jella (aktualisht e caktuar përkohësisht Drejtuese në këtë prokurori) për vendin vakant të Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Parë, Durrës, pasi ata ishin të vetmit kandidatë të cilët aplikuan për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë që në nisjen e procedurave ligjore.
Në vijim, Këshilli miratoi unanimisht shpalljen e fillimit të procedurave për plotësimin e 2 (dy) pozicioneve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe caktoi me short 2 (dy) anëtarët e Komisionit të Posaçëm, z. Bujar Sheshi nga radha e anëtarëve prokuror dhe znj. Nurihan Seiti nga radha e anëtarëve jo prokuror. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 5 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prej të cilëve 3 anëtarë prokurorë dhe 2 anëtarë jo prokuror. Anëtarët e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës janë ex officio anëtarë të Komisionit të Posaçëm; Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale përjashtohen ex officio nga pjesëmarrja në Komisionin e Posaçëm. Dy anëtarët e tjerë të Komisionit të Posaçëm, njëri prej të cilëve anëtar prokuror dhe tjetri anëtar jo prokuror, zgjidhen me short nga pjesa e mbetur e anëtarëve të Këshillit. Njoftimi i vendeve vakante si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit. Kandidatët që plotësojnë kushtet e sipërpërmendura i paraqesin kërkesat e tyre jo më vonë se 15 ditë kalendarike nga data e shpalljes së thirrjes në faqen zyrtare të Këshillit.
Me 8 (tetë) vota pro dhe 3 (tre) kundër, ( znj. Esmeralda Keshi, z. Vatë Staka dhe z. Moisi Duda), Këshilli vendosi të kthejë në Komisionin e Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, relacionin për fillimin e procedurave për komandimin e 1 (një) prokurori në pozicionin e Këshilltarit për Etikën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë në mënyrë që të plotësohet me specifikimet e mënyrës së caktimit në detyrë të Këshilltarit për Etikën: komandimi me kohë të plotë ose caktimi në detyrë me kohë të pjesshme dhe ulje e ngarkesës deri në 75% për periudhën e angazhimit të prokurorit pranë Këshillit.
Këshilli vendosi miratimin e raporteve për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit znj. Elona Alvora, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë, Vlorë dhe të subjektit të rivlerësimit z. Isa Jata, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë ,Tiranë. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet organeve të vetingut dhe OMN-së.
Këshilli vendosi me shumicë votash, miratimin e raportit mbi verifikimin e pasurisë dhe figurës për prokurorin z. Artan Shtrungza, kandidat për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tropojë dhe ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin z. Gentian Habazaj, kandidat për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat. Gjatë procedurës së verifikimit, kandidati Gentian Habazaj i ka paraqitur Këshillit kërkesën me të cilën ka deklaruar heqjen dorë nga kandidimi për pozicionin e Drejtuesit në Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat, për shkakun se me Vendimin nr. 149, datë 27.04.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur transferimin e tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan.
Me shumicë votash, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër të z. Julian Çafka dhe caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Korçë të znj. Ollga Visi.
Për shkak të shkarkimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, me datë 12.05.2021, të z. Artan Madani, Këshilli vendosi unanimisht caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë të z. Durim Bedini prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë. Caktimi i përkohshëm zgjat 3 (tre ) muaj nga hyrja në fuqi e vendimit.