Sot paradite, në sallën e mbledhjeve të Këshilli të Lartë të Prokurorisë, u zhvillua takimi midis përfaqësueseve të Shkollës së Magjistraturës dhe anëtarëve të Këshillit.
Nën bashkëdrejtimin e Zv/Kryetarit të Këshillit, z. Alfred Balla dhe Drejtuesit të Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi, është diskutuar rreth mënyrës së intensifikimit të bashkëpunimit institucional për sa i përket programit vjetor të trajnimit vazhdues të prokurorëve si dhe në lidhje më përzgjedhjen e tematikave në përputhje me propozimin dhe interesin e vetë prokurorëve. Gjithashtu është diskutuar rreth përzgjedhjes së ekspertëve nga prokurorët me përvojë të spikatur, ndarja në mënyrë të barabartë e kuotave të pranimit të studentëve në Shkollën e Magjistraturës në profilin gjyqtar dhe prokuror të lidhura drejtpërdrejt me nevojat e sistemit gjyqësor, i cili këto vite po kalon në reformim rrënjësor duke pakësuar burimet njerëzore si pasojë e shkarkimeve nga organet e vetingut.
Pasi u paraqit para Këshillit një pasqyrë e detajuar me temat e trajtuara gjatë vitit akademik dhe të dhënat mbi numrin e ekspertëve të cilët kanë kontribuar në programin e Formimit Fillestar gjatë vitit 2020-2021, rezulton se rreth 18 % e ekspertëve kanë qenë prokurorë dhe 139 prokurorë kanë frekuentuar 52 aktivitete trajnuese të organizuara nga Shkolla gjatë këtij viti akademik.
Zoti Rakipi kërkoi angazhimin e Këshillit në hartimin e tematikës së trajnimeve dhe gjithashtu të mbledhë propozimt për temat nga çdo drejtues prokurorie, në mënyrë që këto trajnime të jenë në interesin e vet prokurorëve. Nga ana e Këshillit, z. Balla siguroi Drejtuesin e Shkollës së Magjistraturës për intensifikim të bashkëpunimit midis të dy institucioneve duke theksuar angazhimin e Këshillit për t’i kaluar Shkollës propozimet për temat e trajnimeve brenda muajt Qershor 2021, në mënyrë që në Shtator 2021, kalendari i trajnimeve të miratohet në Bordin Drejtues së Shkollës së Magjistraturës.