AKTIVITETEPËR MEDIAT

Prokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Çela raportoi sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë lidhur me veprimtarinë e sistemit të prokurorisë gjatë vitit 2020

Posted

Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi sot paradite, në sallën e mbledhjeve të Këshillit, seancën dëgjimore me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela mbi raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me veprimtarinë e sistemit të prokurorisë gjatë vitit 2020.

Në seancë ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit dhe përfaqësuesit e programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kanë detyrim ligjor të raportojnë, të paktën një herë në vit, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë lidhur me ecurinë e veprimtarisë së strukturave përkatëse.

Në nisje të seancës, Prokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Çela paraqiti në mënyrë të përmbledhur raportin mbi veprimtarinë e sistemit të prokurorisë gjatë vitit 2020 duke u fokusuar kryesisht në administrimin dhe funksionimin e tij. Ky është raportimi i parë i kryeprokurorit Çela para Këshillit për funksionimin dhe administrimin e sistemit të Prokurorisë.

Pasi u njohën me raportin e paraqitur nga Kryeprokurori Çela, anëtarët e Këshillit i adresuan atij pyetje. Prokurori i Përgjithshëm iu përgjigj gjerësisht çdo pyetjeje të anëtarëve të Këshillit të cilat ishin të fokusuara kryesisht tek efikasiteti dhe përmirësimi i funksionimit të sistemit të prokurorisë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rritjes së efikasitetit të prokurorisë në hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me pastrimin e produkteve të veprave penale dhe konfiskimit të aseteve të krimit, rolit të Prokurorisë së Përgjithshme në miratimin e hartës së re gjyqësore, hartimit dhe ndjekjes së politikave penale, sistemit elektronik të menaxhimit të cështjeve penale dhe propozimeve të Prokurorit të Përgjithshëm për rishikimin e ndarjes së disa kompetencave midis KLP dhe Prokurorit të Përgjithshëm në funksion të rezultateve të prokurorisë në luftën kundër krimit. 

Në përfundim të seancës, Kryetari i Këshillit, Gent Ibrahimi nënvizoi faktin se sot ishte një provë e rëndësishme për të kolauduar institutin e rëndësishëm të raportit vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm në funksion të interesit të përbashkët të dy institucioneve për mbarëvajtjen e punëve në sistemin e prokurorisë.

Ai e cilësoi takimin e sotëm si një bashkëbisedim të frytshëm, konstruktiv dhe një shkëmbim idesh dhe përvojash të vyera. Kjo praktikë do të na shërbejë të gjithëve për të çuar përpara zbatimin e reformës në drejtësi.

Fjala e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, në raportimin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm

Faleminderit kolegë. Përfitoj nga rasti që të bëj edhe unë pyetjet dhe komentet e mia. Natyrisht që bashkohem me falenderimet e parafolësve për prezantimin tuaj dhe paraqitjen e ideve tuaja, lidhur me mënyrën se si funksionon sistemi aktualisht, rolin tuaj si Prokuror i Përgjithshëm në raport me këto çështje edhe propozimet tuaja lidhur me përmirësimin.

Konstatoj që kemi një optikë shumë të ndryshme sa i takon përparësive dhe problematikave në sistemin e prokurorisë, të paktën me anëtarët jo-prokurorë të Këshillit. Anëtarët prokurorë ishin shumë të heshtur kësaj rradhe dhe për mua ky është një indikacion alarmues, të dashur kolegë. Por, do ta shpjegoj pak më vonë përse është alarmues.

Ky Këshill, është kështu siç është, me këtë përbërje, me një Kryetar të ardhur nga jashtë sistemit dhe me një shumicë të lehtë, me të ardhur brenda sistemit, për shumë arsye. Por, një nga arsyet, është që të garantojë përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe eficencën e sistemit të prokurorisë.

Forumi i sotëm, është një nga ato forume ku ne duhet të ushtrojmë pa kompleks, këtë përgjegjësi të madhe që na ka dhënë Kushtetuta dhe publiku shqiptar. Kështu që, konsiderojeni si të doni këtë që sapo thashë. Unë prisja atë që tha zoti Balla në fakt, më shumë aktivitet nga ana e anëtarëve prokurorë se sa nga ata jo-prokurorë. Dhe për mua, ky është edhe një argument që bie ndesh me propozimin tuaj, për rishikimin e kompetencave në drejtim të rritjes së rolit të Prokurorit të Përgjithshëm në emërimin e drejtuesve të prokurorive.

Zotërinj, këtu kemi anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që nuk guxojnë t’ju bëjnë juve një pyetje. Nga ana tjetër, ju flisni për rritje të kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm.

Ju e dini që unë jam një nga aktorët e Reformës në Drejtësi. Në qoftë se ka pasur ndonjë target apo objektiv ajo reformë, ka qenë rishikimi total i pozicionit të Prokurorit të Përgjithshëm, sepse zgjidhjet që jepte Kushtetuta e vitit 1998, jepnin rezultate të papërshtatshme. Asgjë, nga zgjidhjet që janë sot në ligj dhe në Kushtetutë, nuk është një aksident, nuk është një keqkuptim. Është një dizajn i mirëmenduar kushtetues, është një proces që ka zgjatur dy vjet dhe ka ardhur në këto përfundime. Ka ardhur në përfundimin që sot, gjyqtarët dhe prokurorët janë krejtësisht njëlloj. Nuk kanë asnjë dallim, përveç pozicionit që zënë në sallën e gjyqit dhe kronologjisë së veprimeve në procesin gjyqësor. Nuk ka asnjë dallim sa i takon statusit si magjistratë. Mjeti kryesor që është përdorur nga Reforma në Drejtësi për të ardhur këtu (në barazimin total të statusit midis gjyqtarëve dhe prokurorëve), është shkëputja totale e kompetencave që ka pasur dikur Prokurori i Përgjithshëm, heqja e këtyre kompetencave dhe veshja e tyre tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Këto komente vijnë nga një njeri që është këtu ku është, edhe për gjashtë muaj. Fare mirë mund të kisha zgjedhur të mos bëja komente të tilla, sepse në fund të fundit, karriera ime personale nuk lidhet më me zhvillimet e mëtejshme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Por, nuk mund të mos e theksoj, propozimet tuaja për një rishikim të ndarjes së kompetencave midis Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm janë të parakohshme, zoti Çela, dhe të pajustifikuara nga zbatimi ne terren i ligjeve të reformës.

Ju keni më pak se një vit e gjysëm në detyrë. Ju keni kaq shumë punë për të bërë…Të paktën në optikën time, reforma ka dhënë rezultat të plotë sa i takon statusit të prokurorëve. Ende, nuk ka dhënë rezultat sa i takon, mbështetjes administrative të sistemit, logjistikës, financimit, marrëdhënieve me policinë, marrëdhënieve me publikun etj. Ky është një oqean me probleme, i cili është i gjithi në përgjegjësinë tuaj. Ju mund të kaloni fare mirë një mandat të tërë, madje edhe dy, duke u marrë me këto çështje. Çështje të cilat, po të zgjidhen ashtu siç duhet, ia ndryshojnë faqen sistemit të prokurorisë.

Ne (KLP) kemi bërë pjesën tonë: I kemi bërë prokurorët të pavarur. Të gjithë janë dëshmitarë të mënyrës se si emërohen prokurorët, si transferohen prokurorët, si ngrihen në detyrë prokurorët. Është një proces pothuajse automatik nga ana e Këshillit. Mënyra se si bëheshin të njëjtat punë, në kohët kur këto kompetenca i takonin Prokurorit të Përgjithshëm, është për fat të mirë tashmë, një kujtesë e largët dhe shpresoj që mos ndodhë kurrë më në të ardhmen.

Pra, sa i takon statusit, këta njerëz, prokurorët, kolegët tuaj, kanë marrë pavarësinë, parakushtin esencial për llogaridhënien dhe eficencën. Tani duhet ta zhvendosim vëmendjen në drejtime të tjera, tek mbështetja administrative, tek financimi i sistemit, tek teknologjia e informacionit, tek marrdhëniet me publikun etj, etj.

Ajo që tha z. Balla është shumë e vërtetë. Ti shkon dhe viziton zyrat e prokurorive në Republikën e Shqipërisë, dhe shikon që ato janë dora e dytë ose e tretë, sa i takon vendndodhjes, cilësisë së ndërtimeve të godinave, hapësirave në dispozicion. Këtu ka vend për një revolucion nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm. Ka vend për buxhetim zhvillues, krijues, pa komplekse. Nuk ka asnjë arsye përse Bashkia të jetë më e bukur apo më në qendër se sa Prokuroria e një rrethi. Të kuptohemi drejt. Ajo që ne shohim sot (siç e përshkrova më lart) është padyshim rezultat i 100 viteve mentalitet dhe histori të zhvillimeve institucionale. Por, ky ndryshim i dëshiruar, edhe në mentalitet, nuk mund të vijë nga askush tjetër përveçse nga Prokurori i Përgjithshëm. Kjo është një punë e stërmadhe, që mund të marrë, një, dy ose edhe tre mandate.

Një tjetër çështje madhore që kërkon me urgjencë vëmendjen dhe energjinë e Prokurorit të Përgjithshëm është sistemi i menaxhimit të çështjeve. Sot prokurorët shqiptarë punojnë në kushte primitive. Gjithçka me letër, gjithçka në dosje fizike. Suksesi në këto kushte është i pamundur. Sistemi i menaxhimit të çështjeve është një nga dështimet e mëdha në sistemin e prokurorisë ndër vite dhe vazhdon të jetë prezent sot e kësaj dite. Unë mendoj që kjo është një tjetër kauzë e madhe. Në fund të mandatit, në rast se një Prokuror i Përgjithshëm thotë “Unë kam zgjidhur problemin e sistemit të menaxhimit të çështjeve në prokurori “, ai burrë apo ajo grua, ka hyrë në histori. Këto janë punë të mëdha, që kërkojnë përqëndrim të madh, energji edhe bujari në rradhë të parë, nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm.

Unë shpresoja që sot rreth këtyre çështjeve do të vërtitej diskutimi ynë. Shqetësimi juaj sipas të cilit Prokurori i Përgjithshëm duhet të sigurojë kohezionin e sistemit të prokurorisë nuk është i paadresuar nga zgjidhjet ligjore të reformës në drejtësi.  Kohezioni është një objektiv afatgjatë. Edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nuk ka kohezion. Ne jemi 11 anëtarë, jemi 11 mendje. Është e vështirë që të arrijmë në qëndrime unike. E megjithatë, makineria ecën përpara, funksionon. Kohezioni që ju ëndërroni në rradhët e prokurorëve, jo vetëm që është i pamundur, por është edhe i pakërkuar nga Kushtetuta. Kohezioni nuk mund të sigurohet nga kontrolli hierarkik. Kohezion ka dhe duhet të ketë vetëm në raport me ligjin. Këtë kohezion, në llogari të fundit, e garanton shqyrtimi gjyqësor i akteve të prokurorisë. Edhe gjykata bën politikë penale. Edhe gjykata ka nevojë për kohezion. Kohezioni në punën e gjyqtarëve sigurohet nga mekanizma të tjerë si gjykimi në shkallë më të larta, vendime unifikuese, etj, dhe jo nga kontrolli hierarkik.

Në këto kushte, nuk ka nevojë për rishikim të linjave të varësisë. Ajo ç’ka duhet, sipas mendimit tim, është përqendrimi i Prokurorit të Përgjithshëm tek ato çështje, të cilat, për dekada e dekada, janë parë si të dorës së dytë. Raporti me policinë për shembull? Kam 20 vite që dëgjoj të njëjtin refren “prokuroria nuk arrin të bashkëpunojë me policinë e shtetit në hetim”. Anekdodat që dëgjojmë lart e poshtë, janë vërtetë qesharake. Dëgjojmë nga prokurorët që në mes të procesit të hetimit, oficeri i policisë thotë “më fal po sot kam aksionin e mbledhjes së çadrave të paligjshme në plazh, edhe ikën”. Është problem serioz, edhe kjo do një zgjidhje. Është një tjetër kauzë e madhe, një tjetër front i madh pune për Prokurorin e Përgjithshëm.

Mbështetja administrative me ndihmës ligjorë. Thashë, që sot prokurori ka një status ekuivalent me gjyqtarin. Pse gjyqtarët kanë ndihmës ligjorë dhe prokurorët jo? Duhet një ndryshim legjislativ, duhet buxhetim më bujar. Janë cështje që gjithashtu kërkojnë vëmendjen dhe energjinë e Prokurorit të Përgjithshëm. Puna në këtë drejtim merr aq më tepër rëndësi sot në kushtet kur sistemi i Prokurorisë, në të ardhmen e afërt, do të vazhdojë të vuajë humbjet që vijnë si rezultat i zbatimit të sistemit të vetting-ut. Puna në këtë drejtim është ndoshta mënyra e vetme për ta zbutur problemin dhe për ta përmirësuar gjendjen e vështirë në të cilën gjendet sot sistemi i prokurorisë.

Unë faktikisht, kisha pyetje për ju, që kishin të bënin pikërisht me këto çështje, por u devijova në këto komente, duke pasur parasysh ecurinë e diskutimit të sotëm. Ne e thamë që në fillim, që kjo është hera e parë që ne eksplorojmë këtë institut, institutin e raportit të Prokurorit të Përgjithshëm përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku njëra palë i raporton palës tjetër. Në këto kushte, unë mbaj një pjesë të përgjegjësisë që Këshilli nuk arriti ta fokusojë bisedën midis nesh, në ato linja që përkojnë me përgjegjësitë tuaja dhe që plotësojnë përgjegjësitë tona si Këshill.

Pra, në rast se, në ato drejtime ku Kushtetuta ka bërë përgjegjës Prokurorin e Përgjithshëm (buxheti, administrata, menaxhimi i cështjeve, marrdhëniet me publikun, marrdhëniet me policinë, etj), do të kishim ato arritje që kemi parë në drejtimet ku Kushtetua ka bërë përgjegjës Këshillin e Lartë të Prokurorisë (statusi dhe karriera e prokurorëve), të dyja institucionet sëbashku, dora-dorës, do të bënim të mundur që sistemi i prokurorisë të arrinte rezultatet që të gjithë kërkojmë.

Në përfundim të komenteve të mia, ju falenderoj të gjithëve, dhe Prokurorin e Përgjithshëm në vecanti, duke shprehur besimin se bashkëpunimi midis institucioneve tona është garanci për suksesin e sistemit të prokurorisë dhe drejtësinë shoqërore që nuk do të vonojë të vijë si rezultat i këtij suksesi.