Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi sot paradite, në sallën e mbledhjeve të Këshillit, seancën dëgjimore me Drejtuesin e SPAK, z. Arben Kraja për raportimin vjetor mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2020.
Në seancë ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Këshillit dhe përfaqësuesit e programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT. Zoti Kraja u shoqërua nga Zv/ Drejtuesi i SPAK, z. Altin Dumani dhe nga prokurori Klodian Braho.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka detyrim ligjor të raportojë, të paktën një herë në vit, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë lidhur me ecurinë e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme.
Në nisje të seancës, Drejtuesi i SPAK, paraqiti në mënyrë të përmbledhur raportin mbi veprimtarinë e strukturës së posaçme gjatë vitit 2020 duke u fokusuar kryesisht në administrimin, funksionimin dhe problematikat e evidentuara gjatë kësaj periudhe. Ky është raportimi i parë i Drejtuesit të SPAK përpara Këshillit.
Duke theksuar se ky vit ka qenë një sfidë për të gjithë për shkak të pandemisë, Kraja theksoi se SPAK, në këtë kohë të shkurtër të konsolidimit si institucioni që ai drejton, ka kryer me sukses një sërë operacionesh si dhe ka lidhur marrëdhënie bashkëpunimi me shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare, me qëllim përmirësimin e hetimit në vend. Gjatë vitit 2020 Kraja evidentoi kushtet e vështira të punës, ngarkesën e madhe të 13 prokurorëve, mungesën e burimeve njerëzorë, logjistikës dhe, mbi të gjitha, e Byrosë Kombëtare të Hetimit e cila pritet që nga muaji Gusht 2021 të mbështesë Prokurorinë e Posaçme me 28 hetues të rinj. Gjatë raportimit, z. Kraja tha se SPAK ka dorëzuar 117 kërkesa për sekuestro të 657 pasurive të luajtshme, të paluajtshme dhe biznese, 62 kërkesa për konfiskim dhe janë dhënë 27 vendime nga të cilat vetëm dy nuk janë pranuar. Gjithashtu, Kraja u shpreh se bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare se ka qenë i frytshëm.
Pasi u njohën me raportin e paraqitur nga Drejtuesi i SPAK, anëtarët e Këshillit i adresuan atij pyetje të cilat u fokusuan tek nevoja e ndryshimeve ligjore të miratuara së fundmi për sa i përket kompetencës lëndore të SPAK, nisur nga problematikat e hasura gjatë ushtrimit të detyrës së prokurorëve. Gjithashtu, anëtarët adresuan pyetje në lidhje me rolin e SPAK në procesin e konfiskimit të aseteve të cilat janë produkt i veprimtarisë kriminale, hetimi i shkeljeve të zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore për pabarazinë në tenderat si dhe ngritjen e sistemi menaxhimi të çështjeve në Prokurorinë e Posaçme.
Drejtuesi Kraja, së bashku me prokurorët Dumani dhe Braho, iu përgjigjen gjerësisht çdo pyetjeje të anëtarëve të Këshillit. Duke falënderuar Këshillin për mbështetjen e vazhdueshme dhe mënyrën transparente të treguar në çdo veprimtari që lidhet me SPAK, ata kërkuan plotësimin sa më shpejt të strukturës me 20 prokurorë, si nevojë imediate për t’iu përgjigjur ngarkesës së madhe që përballojnë aktualisht prokurorët e SPAK.
Në përfundim të seancës, Kryetari i Këshillit, Gent Ibrahimi falënderoi të pranishmit dhe nënvizoi faktin se raportimi i sotëm i SPAK preku një mori çështjesh dhe se është rasti më i mirë që SPAK të bëjë publike rezultate të punës së vet në një vit e gjysmën nga ngritja e këtij institucioni. Ibrahimi theksoi se kjo mënyrë raportimi tregon më së miri një partneritet dhe një ndërveprim midis KLP dhe SPAK, jo një raport varësie, dhe kjo është mënyra më e spikatur për të dëshmuar si funksionon sistemi i ri i drejtësisë.
Ibrahimi tha se SPAK është në vëmendjen e opinionit publik, i cili pret rezultate konkrete në kohë sa më të shkurtër për ndëshkimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe siguroi drejtuesin e SPAK se Këshilli do të monitorojë vazhdimisht veprimtarinë e prokurorëve të SPAK, dhe në 2022, KLP do të vlerësojë , për herë të parë, performancën e tyre.
Ai e cilësoi takimin e sotëm si një bashkëbisedim të frytshëm, konstruktiv dhe një shkëmbim idesh dhe përvojash të vyera. Kjo praktikë do t’u shërbejë të gjithëve për të çuar përpara zbatimin e reformës në drejtësi.