AKTIVITETEPËR MEDIAT

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, raporton në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e Këshillit për vitin 2020

Sot, 02.06.2021, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, paraqiti në Komisionin e ligjeve, raportin për vitin 2020 mbi veprimtarinë e institucionit që drejton.

Ibrahimi bëri një përmbledhje të veprimtarisë së Këshillit gjatë vitit të kaluar, duke u ndalur tek misioni parësor i Këshillit, që vendimet mbi karrierën e prokurorëve të bazohen ekskluzivisht në vlerësimin e meritave profesionale dhe në rezultatet e verifikimit të figurës dhe të integritetit të tyre.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në zbatim të Ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, ka detyrimin të raportojë para Kuvendit jo më pak se një herë në vit.

Gjatë vitit 2020, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka raportuar në mënyrë të pjesshme në muajin Maj 2020, ashtu sikurse ka raportuar në mënyrë të thelluar, lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, me Rezolutën e miratuar më 25.06.2020, “Për raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2019”, për periudhën Janar-Shtator 2020.

Raporti për veprimtarinë e KLP, për vitin 2020, mbështetet edhe në rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me anë të Rezolutës “Për raportin vjetor të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2019”.

Në raportin e veprimtarisë për vitin 2020 jepet informacion i detajuar mbi veprimtarinë e Këshillit gjatë këtij viti, duke pasur parasysh vështirësitë e krijuara prej muajit Mars 2020, pas shpalljes së gjendjes së pandemisë COVID-19 në vend. Ndër aspektet më të spikatura të veprimtarisë së Këshillit gjatë 2020, ishte ngritja dhe funksionimi i një sistemi të vetting-ut permanent të prokurorëve si strukturë ndihmëse në kuadër të procesit të vetting – ut të jashtëzakonshëm të realizuar aktualisht nga institucionet e vlerësimit. Raportet e miratuara nga Këshilli ndihmuan në vlerësimin e njërit prej tre komponentëve të tij, i cili është vlerësimi i aftësive profesionale.

Gjithashtu, raporti nxjerr edhe konkluzione të tjera përtej kërkesave të Kuvendit, duke u ndalur në arritjet kryesore të Këshillit për vitin 2020, sikurse: komandimi i prokurorëve si inspektorë në ILD, verifikimi i pasurisë dhe figurës i katër kancelarëve në detyrë, rastet e ardhura për procedim disiplinor të prokurorëve nga ana e ILD, verifikimi i kandidatëve për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës ose kandidatëve që e përfundojnë këtë program dhe duhet të emërohen e caktohen në detyrë si prokuror, hartimi i akteve nënligjore që ndikojnë drejtpërdrejt në karrierën e prokurorëve, emërimi i drejtuesit të BKH, administrimi i Regjistrit dhe Dosjes Personale të prokurorëve, etj.

Komisioni i Ligjeve e vlerësoi pozitivisht veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit. Këshilli është angazhuar se do të vijojë punën në përmirësimin e rekomandimeve që ende nuk janë përmbushur plotësisht.

Në vijim gjeni linkun me raportimin e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2020 në komisionin e Ligjeve.

Komisioni për Çështjet Ligjore, 2 Qershor 2021 Link