Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 09.06.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot, më 09.06.2021, mbledhjen plenare të radhës përmes platformës on-line. Mbledhja është zhvilluar në prani të të gjithë anëtarëve, të përfaqësueseve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Me votë unanime, Këshilli vendosi caktimin nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, të z. Artan Shtrungza për një mandat 3 (tre) vjeçar.

Në vijim, Këshilli vendosi shpalljen e 11 (njëmbëdhjetë) pozicioneve të lira në 10 (dhjetë) Prokurori pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, për t’u plotësuar me procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, respektivisht:

  1. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë
  2. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Berat
  3. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Berat
  4. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë
  5. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Gjirokastër
  6. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kavajë
  7. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Dibër
  8. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kukës
  9. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Lushnjë
  10. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tropojë
  11. Pozicion vakant Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Sarandë.

Aktualisht, në sistem, Këshilli ka identifikuar 38 (tridhjetëetetë) vakanca në gjithë vendin dhe sot vendosi shpalljen e 11 (njëmbëdhjetë) prej tyre.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka detyrimin ligjor të shpallë vendet e lira ose që pritet të bëhen të lira brenda 3 (tre) muajve për transferim me lëvizje paralele, sipas nenit 43 të Ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Subjektet të cilët kanë të drejtë të kandidojnë, kriteret që duhet të plotësojnë, afati i dorëzimit të shprehjes së interesit, dokumentacioni që duhet të dorëzojnë dhe adresa ku do të dorëzohet shprehja e interesit, do të njoftohet në faqen zyrtare të Këshillit.

Pas diskutimeve mbi nevojën e përdorimit të instrumentit të lëvizjes paralele të prokurorëve për vendet vakante të identifikuara aktualisht në sistemin e prokurorisë dhe për të siguruar efektshmërinë e tij dhe njëkohësisht, garantimin e karrierës së prokurorëve bazuar në meritokraci, Këshilli vendosi me shumicë votash shpalljen e 8 (tetë) pozicioneve të lira në 7 (shtatë) Prokurori pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, respektivisht në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Berat 2(dy) vende, Lezhë, Gjirokastër, Dibër, Kukës, Tropojë dhe Sarandë.

Më datë 19.05.2021, në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë u shpall thirrja për fillimin e procedurave për plotësimin e 2 (dy) nga 5 (pesë) pozicionet e shtuara së fundmi në Prokurorinë e Posaçme, për të gjithë prokurorët që plotësojnë kriteret ligjore për këtë pozicion. Në mbyllje të afatit, me datë 03.06.2021,  mbas verifikimit, aplikuan vetëm 2 (dy) kandidatë për 2 (dy) vende vakante, z. Adnand Xholi dhe znj. Dorina Bejko. Pas verifikimit nga Komisioni i Posaçëm, kandidatët të cilët plotësojnë kushtet ligjore, sipas rendit alfabetik, janë z. Adnand Xholi dhe znj. Dorina Bejko. Këshilli vendosi unanimisht miratimin e listës me dy emrat e sipërpërmendur që plotësojnë kriteret paraprake për kandidim si Prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi me 10 (dhjetë) vota pro dhe 1 (një) kundër (z. Tartar Bazaj), fillimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës dhe caktimin me short të Relatorit për z. Renato Tosku, kandidat për t’u pranuar në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2021- 2022. Me kandidaturën e z. Tosku, plotësohet lista e 25 studentëve të cilët ndjekin formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2021- 2022, kuotë e miratuar nga Këshilli në janar 2021. Në përfundim të shortit u caktua si relator, z. Alfred Balla.