Trajnim i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, mbi vlerësimin e performancës së prokurorëve

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) në bashkëpunim me Misionin EURALIUS V, organizuan një trajnim mbi legjislacionin e ri kombëtar, në lidhje me vlerësimin e performancës së prokurorëve.

Prezantimi i projektrregullores mbi vlerësimin e performancës së prokurorëve, identifikimi i dispozitave që duhen diskutuar dhe/ose ndryshuar dhe metodologjia e pikëzimit, ishin në fokus të trajnimit dyditor, që u zhvillua në Korçë.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i KLP-së, z. Gent Ibrahimi, falenderoi misionin e ndihmës ndërkombëtare për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS V, dhe veçanërisht znj. Anita Mihailova, dhe nënvizoi se, procesi i vlerësimit të prokurorëve është thelbi i punës së Këshillit.
Rëndësia e miratimit të kësaj rregulloreje për menaxhimin e karrierës së prokurorëve, bazuar ekskluzivisht mbi kriterin e meritokracisë dhe garantimin e objektivitetit, paanshmërisë dhe transparencës, është ndër prioritetet e KLP-së për këtë vit, teksa vitin e ardhshëm do të nisë procesi i vlerësimit për të gjithë prokurorët.

Gjatë sesioneve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me projektin e rregullores, përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale të Këshillit. Ata diskutuan mbi identifikimin e treguesve të vlerësimit, të zbatueshëm për prokurorët, me qëllim miratimin e kësaj rregulloreje në një nga seancat plenare të Këshillit, gjatë muajit në vijim.

Kjo rregullore zbatohet për vlerësimin e prokurorëve, të caktuar në një pozicion në prokurori, të cilët kanë ushtruar detyrën e prokurorit gjatë periudhës së vlerësimit.

Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i rregullave që plotësojnë skemën e vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve, në bazë dhe për zbatim të Ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe hartimi i metodologjisë së pikëzimit, me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të secilit prej tyre.
Çdo prokuror i Republikës duhet të gjejë veten në raportin e vlerësimit, të miratuar nga Këshilli.
Gjatë periudhës së vlerësimit, tre ose pesëvjeçar, KLP vlerëson prokurorin, pavarësisht nga koha e ushtrimit prej tij të detyrës, e cila, gjithësesi, nuk mund të jetë më pak se një vit.
Çdo muaj nëntor, Këshilli do të miratojë listën me numrin e prokurorëve, të cilët do të jenë pjesë e procesit të vlerësimit për vitin pasardhës.

Aktiviteti është pjesë e ciklit të trajnimeve, që misioni EURALIUS V po organizon në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për fuqizimin e kapaciteteve të Këshillit.