Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, paraqet para Kuvendit, Raportin Vjetor për veprimtarinë e Institucionit për vitin 2020.

Gent Ibrahimi:Kushti mbi kushtet për suksesin e sistemit të prokurorisë është garantimi i statusit të prokurorëve. Thënë ndryshe, kushti mbi kushtet është garantimi i pavarësisë, integritetit, profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së prokurorëve”.

I nderuar Z. Kryetar,
Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Sot kam kënaqësinë të ndaj me Ju raportin vjetor të veprimtarisë të Këshillit të Lartë të
Prokurorisë për vitin 2020. Si gjithnjë, paraqitja e këtij raporti është për ne, një mundësi e mirë
për t’i bërë të ditur Kuvendit, institucioneve partnere dhe të gjithë shoqërisë, një përmbledhje
të sfidave dhe arritjeve të Këshillit, në përfundim të ciklit vjetor të veprimtarisë.
Kushtetuta e ka mandatuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë që të veprojë në prapavijë të sistemit
të prokurorisë. Në sintezë, detyra jonë është të krijojmë kushtet për suksesin e prokurorisë, në
luftën kundër krimit.
Kushtet, të cilat mundësojnë suksesin e prokurorisë, janë disa llojesh. Disa prej tyre (kushteve)
kanë të bëjnë me financimin e sistemit, me mbështetjen administrative, me mbështetjen
policore, me infrastrukturën, teknologjinë etj. Garantimi i këtyre kushteve të rëndësishme është
detyrë e Prokurorit të Përgjithshëm.
Një grup tjetër kushtesh ka të bëjë me trainimin e vazhdueshëm dhe adekuat të prokurorëve të
të gjitha niveleve. Garantimi i këtij kushti është detyrë, kryesisht e Shkollës së Magjistraturës.
Sidoqoftë, kushti mbi kushtet për suksesin e sistemit të prokurorisë është garantimi i statusit të
prokurorëve. Thënë ndryshe, kushti mbi kushtet është garantimi i pavarësisë, integritetit,
profesionalizmit dhe përgjegjshmërisë së prokurorëve.
Garantimi përfundimtar i këtij kuadri vlerash dhe objektivash, në sistemin e prokurorisë, është
qëllimi final dhe raison d’etre e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Për realizimin e këtij qëllimi të rëndësishëm, Kushtetuta i ka veshur Këshillit një portofol me
detyra dhe përgjegjësi, të cilat mbulojnë të gjithë ciklin e jetës profesionale të prokurorëve,
përfshirë pranimin e kandidatëve për prokurorë në Shkollën e Magjistraturës, formimin e tyre
etik e profesional, emërimin e prokurorëve të rinj, caktimin e tyre në pozicione konkrete,
transferimin, ngritjen në detyrë dhe disiplinimin, në rastet e shkeljeve disiplinore.
Këto përgjegjësi, dhe ç’ka është më e rëndësishme, mënyra e ushtrimit të tyre nga Këshilli,
janë të një rëndësie jetike për garantimin e atij kushti mbi kushtet, që është statusi i prokurorëve.
Përsa kohë vendimet e Këshillit, në ushtrim të këtyre përgjegjësive të rëndësishme, bazohen
përjashtimisht në vlerësimin e meritave profesionale të prokurorëve dhe në verifikimin periodik
të integritetit të tyre, mund të jemi të qetë se, kushti mbi kushtet për suksesin e sistemit të
prokurorisë (statusi i prokurorëve) është i garantuar.
Në ndjekje të këtij qëllimi të përhershëm, gjatë vitit që shkoi, Këshilli ka ndërmarrë hapa të
sigurtë.
Kujtoj se, në vitin 2019 veprimtaria jonë u shenjua nga themelimi i Prokurorisë së Posaçme
dhe emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm. Përveç këtyre arritjeve të spikatura, gjatë atij viti, ne
hodhëm themelet e meritokracisë në sistemin e prokurorisë, duke miratuar rregulla nënligjore
të zgjuara, për identifikimin dhe individualizimin e rezultateve profesionale të prokurorëve dhe,
ç’ka është më e rëndësishme, përdorimin e këtyre rezultateve, si kriter ekskluziv për të gjitha
vendimet e Këshillit mbi karrierën e tyre.
Mbi atë bazë, në vitin 2020, Këshilli zbatoi për herë të parë procedurat për ngritjen në detyrë
dhe transferimin e prokurorëve. Ndonëse finalizimi i këtyre procedurave i kapërceu kufijtë
kohorë të vitit 2020, që në fazën e zbatimit u bë e qartë për këdo, prokurorët në radhë të parë,
se epoka e arbitraritetit, fshehtësisë dhe pasigurisë në administrimin e karrierave të
prokurorëve, i përket tashmë historisë. Në fakt, të gjithë prokurorët e përfshirë në garë dhe
vëzhguesit e jashtëm ishin në gjendje të parashikonin me saktësi përfundimin e garës, sepse
kriteret e parashikuara nga ligji dhe zbatimi rigoroz e transparent i tyre nga Këshilli, nuk linin
asnjë hapësirë për të papritura. Finalizimi me sukses i këtyre procedurave do të vendosë një
standard të ri e të lartë në mënyrën e administrimit të karrierave të prokurorëve, duke
konsoliduar, në këtë mënyrë, garantimin e kushtit mbi kushtet për suksesin e sistemit të
prokurorisë.
Një tjetër moment i spikatur i veprimtarisë së Këshillit gjatë vitit 2020 ka qenë edhe emërimi i
Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky akt i Këshillit mundësoi fillimin e procesit të
rëndësishëm të krijimit të Byrosë, duke krijuar kështu kushtet për të pasur më shumë rezultate
në punën e Prokurorisë së Posaçme, tek e cila i kemi sytë dhe shpresat të gjithë.
Vlen, gjithashtu, të përmendet komandimi i katër prokurorëve pranë Inspektorit të Lartë të
Drejtësisë,si një kontribut i rëndësishëm i Këshillit për rritjen e kapaciteteve të këtij institucioni
të ri të sistemit të drejtësisë, rezultatet e punës të së cilit pritet të ndihmojnë në drejtim të
forcimit të profesionalizmit dhe integritetit të prokurorëve.
Po kështu, gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli ka dhënë
kontribute të spikatura për ndryshimet ligjore në fushën e drejtësisë, bazuar në përvojën e
drejtpërdrejtë të zbatimit të ligjeve në fjalë.
Në tërësi, vendimmarrjet e Këshillit gjatë vitit 2020, kanë mishëruar më së miri parimet
themelore të Reformës në Drejtësi. Mendoj se puna jonë e përditëshme, e karakterizuar nga
transparenca dhe rregullsia procedurale, ka ndihmuar për rehabilitimin e imazhit të sistemit të
drejtësisë dhe kthimin e besimit të shqiptarëve tek shteti i së drejtës, si një nga qëllimet më të
rëndësishme për vendin tonë në këtë moment të historisë.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dhënë kontribut të rëndësishëm në përmbushjen e
detyrimeve që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian,
duke realizuar në kohë dhe me saktësi pjesën përkatëse të detyrave.
Në përfundim të kësaj fjale të shkurtër, dua të shpreh besimin se, dy vitet e veprimtarisë së
Këshillit kanë konsoliduar ekzistencën dhe funksionalitetin e këtij organi të ri të sistemit të
drejtësisë, duke krijuar kështu kushtet për suksesin e sistemit të prokurorisë në tërësi.
Jam besimplotë që viti 2021 do të jetë viti, i cili do të japë rezultate të prekshme sa i takon
vlerësimit të profesionalizmit të prokurorëve, zhvillimit të karrierës së tyre, bazuar në meritë,
dhe zbatimit të një regjimi disiplinor, rezultatet e të cilit jo vetëm dekurajojnë kryerjen e
shkeljeve disiplinore, por, çka është më e rëndësishme, injektojnë standarde të reja etike e
profesionale në punën e prokurorisë.
Për të mësuar më shumë për sa më sipër dhe gjithçka tjetër, Ju ftoj të lexoni raportin vjetor të
Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2020.

Ju falemnderit.