Gent Ibrahimi: ”Rezultati i monitorimit tuaj është i vyer për Këshillat, dhe ne duam të dëgjojmë mendimet e shoqërisë civile, për t’i përfshirë ato në politikat tona institucionale”.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në kuadër të zbatimit të projektit “Drejt një eficence dhe integriteti më të mirë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, realizoi sot paradite, takimin me temë: “Prezantimi i gjetjeve kryesore mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për periudhën e monitorimit dhjetor 2020 – prill 2021”.
Ky projekt mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla, i Komisionit për Demokraci, i Ambasadës së SH.B.A-së në Tiranë.
Me pjesëmarrjen e veçantë të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim, si dhe në prani të Kryetarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, përkatësisht znj. Llagami dhe z. Ibrahimi, si dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, z. Metani, aktiviteti paraqiti përfundimet e arritura mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për periudhën e monitorimit.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj. Yuri Kim, tha se, ajo është e vetëdijshme për presionet që mund të kenë këto dy institucione, por theksoi edhe rëndësinë e tyre për të ecur përpara.
Ambasadorja iu drejtua prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke theksuar se roli i tyre në këtë moment, për Shqipërinë, është kritik. Ajo deklaroi se është i kuptueshëm edhe presioni që ata mund të kenë, por, shtoi ajo, kjo reformë ka kosto personale e profesionale, dhe nëse Këshillat nuk guxojnë ta bëjnë këtë, kostot do t’i paguajnë brezat e ardhshëm.
“Duhet të gjejmë mënyrën se si të ecim përpara. Ne do të njihemi me hollësitë e gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Institucionet e reformës në drejtësi tashmë janë ngritur. Për ne është e rëndësishme të kuptojmë punën e KLGJ-së dhe KLP-së, si kanë ecur ato deri tani. Këshillat duhet të themelojnë e caktojnë mirë standardet, me qëllim që t’u kërkohet llogari magjistratëve. Këshillat duhet të ndjekin rregullat dhe procedurat, duke respektuar kohën e përcaktuar nga ligji. KLGJ e KLP kanë shumë punë përpara, por nuk janë vetëm”, tha Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj. Yuri Kim.
Në një prononcim për mediat e pranishme në aktivitet, lidhur me një nga gjetjet e raportit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që kishte të bënte me “caktimin në detyrë të drejtuesëve të prokurorive, pa kaluar vettingun me vendim të formës së prerë”, Kryetari i KLP-së, z. Gent Ibrahimi, tha se ligji nuk parashikon pezullimin e sistemit të karrierës, gjatë procesit të vettingut.
“Është një vendim i mirëmenduar i Këshillit. Ne nuk mendojmë se pezullimi i sistemit të karrierës në prokurori është një zgjidhje. Të pezullosh sistemin e karrierës në një sistem profesionistësh është si ta çosh atë sistem në vdekje klinike; kështu që, për ne s’ka qenë kurrë një opsion, aq më tepër se drejtuesit e prokurorive, ndryshe nga kryetarët e gjykatave, kanë rol të rëndësishëm procedural, i cili nuk mund të mungojë. Në rast se ky rol ushtrohet nga një njeri i caktuar në atë pozicion, vetëm përkohësisht, natyrisht që ai do të ushtrohet eventualisht me një përgjegjësi më të kufizuar. Konstatimi është i saktë, por zgjidhja që kemi dhëne ne, është se nuk e pezullojmë sistemin e karrierës, pavarësisht vështirësisë që krijon veprimi i vettingut”, z. Ibrahimi.
Linku me fjalën e Kryetarit të Këshilli të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, mbajtur në takim.