Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 29.06.2021, mbledhjen plenare jashtë radhës, në prani të 10 (dhjetë) anëtarëve, në mungesë të Zëvendëskryetarit të Këshillit, z. Alfred Balla.
Mbledhja është ndjekur nga përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Me propozim të anëtarëve të Këshillit (z. Bujar Sheshi, znj. Nurihan Seiti dhe Kryetarit, z. Gent Ibrahimi), si dhe me 6 (gjashtë) vota “pro” të nevojshme, rendit të ditës iu shtuan për diskutim dhe miratim tri çështje, përkatësisht:
- raporti për fillimin e verifikimit të kandidatëve, lidhur me plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele, për vendet vakante në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm;
- caktimi i relatorit për kandidatin, i cili plotëson kushtet për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë;
- ripërtëritja e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave ndaj vendimeve të ILD-së, me tre anëtarë të rinj, pasi anëtarëve të deritanishëm të Komisionit u ka mbaruar mandati me datë 19.06.2021.
Këshilli, gjithashtu, vendosi miratimin e raporteve për analizimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit, konkretisht znj. Denisa Asko, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë; z. Artan Lulaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë; dhe z. Arben Nika, Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kurbin.
Gjithashtu, me 10 vota “pro”, Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin Ludovik Doda, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Durrës, si dhe ta lejojë të lartpërmendurin, si kandidat prokuror, të vijojë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë, për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Durrës.
Pasi u njoh në relacionet shpjeguese, të përgatitura nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi për 5 (pesë) caktime të përkohshme, për një periudhë tremujore nga data e hyrjes në fuqi të vendimeve të Këshillit, dhe respektivisht:
- të z. Dritan Gripshi, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë, Berat;
- të z. Neritan Hoxha, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë, Pogradec;
- të znj. Violeta Shkurta, në pozicionin Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë, Fier;
- të z. Arben Dyla, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së Parë, Lushnjë;
- të znj. Arta Marku, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë.
Më 8 (tetë) vota “kundër” dhe 2 (dy) vota “pro” (znj. Nurihan Seiti dhe z. Moisi Duda), Këshilli rrëzoi relacionin për caktimin e përkohshëm të znj. Alma Bramo, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës. Me vendimin e sotëm ndërpritet caktimi i përkohshëm i saj në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës, kështu që prokurorja Alma Bramo rikthehet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Mat, ku ka dhe emërimin në detyrë.
Ndërkohë, me 10 (dhjetë) vota “pro”, Këshilli vendosi të kualifikojë kandidatin Durim Bedini, i cili plotëson kushtet për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë, dhe të fillojë menjëherë procedurat për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatin në fjalë. Shorti caktoi si relator, z. Moisi Duda.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi me 10 (dhjetë) vota “pro”, miratimin e raportit për fillimin e verifikimit të kandidatëve, lidhur me plotësimin e kushteve ligjore të kandidimit, për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele, për vendet vakante në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Gjithashtu, u zhvillua procedura e caktimit me short të relatorëve për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele, për tre pozicione (ku ka kandidatë) si dhe përfundimi e procedurës së plotësimit të vendeve vakante nëpërmjet lëvizjes paralele, në prokuroritë, ku nuk ka kandidatë aplikantë (prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Dibër, Gjirokastër, Kukës, Sarandë dhe Tropojë).
Mbas mbarimit të afatit, thirrjes për kandidim i janë përgjigjur gjithsej 5 (pesë) prokurorë, për 3 (tre) vende vakante në dy prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, Lezhë dhe Berat. Respektivisht, kandidohet për 1 (një )pozicion në Prokurorinë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë, Lezhë, dhe 2 (dy) pozicione në Prokurorinë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë, Berat.
Në këto kushte, Këshilli vendosi fillimin e verifikimit të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore të kandidimit për procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele, si vijon:
- Z. Adnan Hoxha, kandidat për Prokurorinë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë, Berat;
- Znj. Ajola Prenci, kandidate për Prokurorinë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë, Lezhë;
- Z. Elidon Hysenaj, kandidat për Prokurorinë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë, Berat dhe Lezhë;
- Z. Ledion Tema, kandidat për Prokurorinë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Lezhë;
- Z. Urim Buci, kandidat për Prokurorinë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë, Lezhë .
Ndërkohë, Këshilli caktoi me short relatorët:
- Z. Bujar Sheshi, për pozicionin vakant nr.1 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat;
- Znj. Eloida Goxhi, për pozicionin vakant nr. 2 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat;
- Z. Alfred Balla, për pozicionin vakant në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lezhë.
Të gjitha këto kandidatura janë për t’u kryer me procedurën e transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele.