Gent Ibrahimi: “Duhen bërë ndërhyrje të forta legjislative për të kompensuar humbjet në sistem dhe e vetmja mënyrë është, duke shtuar prurjet në sistem”.
I ftuar dje, në emisionin “Absolut 4” në A2CNN, në drejtimin e gazetares Merita Haklaj dhe në praninë e analistëve Afrim Krasniqi dhe Lutfi Dervishi, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi tregoi tre propozimet që shmangin kolapsin në sistemin e drejtësisë.
Kreu i KLP-së Gent Ibrahimi pranoi në studion e “Absolut 4”, se largimet e paparashikuara të magjistratëve nga sistemi, për shkak të vettingut, i ka gjetur të papërgatitur, por përjashton kolapsin në sistem, pavarësisht mundësisë që ekziston për të shkuar drejt tij. Këtë garanci, ai e bazon tek institucionet e drejtësisë, të cilat duhet ta evitojnë atë, duke bërë ndërhyrje të forta legjislative për të kompensuar humbjet.
“Reforma në drejtësi është politikë publike, e madhe, më e rëndësishmja që nga komunizmi, dhe si çdo politikë publike, ka të papritura gjatë rrugës. Sa i takon këtij problemi, pra, të largimit të paparashikuar të magjistratëve nga sistemi, jemi disi të papërgatitur. Megjithatë, është e mundur të mos shkohet drejt kolapsit.
Në rast se për këto prurje që janë identifikuar deri tani, lidhur me përqindjen e magjistratëve që lënë sistemin, si rezultat i vetingut, nuk bëhet asgjë, natyrisht që do shkojmë drejt kolapsit. Por, kolapsi nuk është opsion, sepse, për ta evituar atë, janë edhe institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, është parlamenti dhe miqtë ndërkombëtarë. Kolaps nuk mund të kemi, por nuk duhet të rrimë duarkryq. Duhen bërë ndërhyrje të forta legjislative për të kompensuar humbjet ne sistem dhe e vetmja mënyrë është, duke shtuar prurjet”.
Në studion e “Absolut 4”, Ibrahimi pranoi vështirësitë e reformës në drejtësi, projeksionet për nivelin e largimeve dhe përvojat, ku u bazua ky eksperiment. Ai tha se, interpretimi zyrtar është i ndryshëm nga interpretimit teknik, çka solli edhe këtë masë largimesh nga sistemi.
“Vështirësitë janë të jashtëzakonshme. Kur nisi reforma në drejtësi, pjesë e atij dokumenti ishte edhe një projeksion i nivelit të largimeve që do shkaktonte vettingu. Projeksioni ishte në masën 25-30 përqind, sikurse ishin tre eksperienca që sugjeronin këtë nivel largimesh . Në Ukrainë, Kosovë dhe Serbi është bërë një eksperiment i tillë, dhe ne, me një farë besimi, mendonim që, në këtë nivel do të ishim edhe ne. Ne, në atë kohë, lidhur me informalitetin e shoqërisë shqiptare, futëm një dispozitë në kushtetutë që, në rast se në vetting, një gjyqtar apo prokuror rezultonte me dyfishin e pasurisë që mund të justifikonte, ai do të duhej të mbetej në sistem, duke i dhënë benefitin e dyshimit të të jetuarit në një sistem me shkallë të lartë informaliteti. Kjo dispozitë ishte supozuar të garantonte këtë rezultat, pra rreth 25-30 përqind largime. Fakti është që, tani, interpretimi zyrtar është ai që jepet nga KPK-ja dhe KPA-ja. Dhe ky fakt është i ndryshëm nga interpretimi që bëra tani, në nivel akademik, pasi që, në nivel teknik, ky ishte kuptimi fillestar”.
Këtu keni linkun e emisionit.