Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 05.07.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 05.07.2021, mbledhjen plenare jashtë radhës, në prani të 10 (dhjetë) anëtarëve (mungonte znj. Esmeralda Keshi) si dhe të përfaqësuesëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Bazuar në nenet 148/d pika 4, germa “a”, 149 pika 1, 149/a pika 1, germa “b”, të Kushtetutës; në nenet 151 pika 1, germa “a”, 155 dhe 156 pika 1, të ligjit  nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; në nenet 189, pika 1 germa “a”, 164, pika 8 dhe 190, pikat 1 dhe 2, të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, si dhe në shkresën e Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me votë unanime, pezullimin nga detyra të z. Edmond Karriqi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, i caktuar përkohësisht si Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës.

Ky vendim merret për shkak të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, dhënë me vendimin nr.46, datë 30.06.2021 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për prokurorin Edmond Karriqi.

Subjekti në fjalë akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319, germa “ç”, të  Kodit Penal.

Njëkohësisht, me vendimin e  datës 03.07.2021, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest ne burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar me Vendimin nr.46, datë 30.06.2021 të kësaj gjykate.

Gjithashtu, bazuar në nenet 148/d, pika 4, germa “a” dhe 149, pika 1, të Kushtetutës; në nenet 151, pika 1, germa “a” dhe pika 2, germa “a”, 155 dhe 156, pika 1, të Ligjit  nr. 96/2016  “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar; në nenet 189, pika 1, germa “a”, 164, pika 8 dhe 190, pikat 1 dhe 2, të Ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar si dhe në relacionin e Komisionit Disiplinor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me votë unanime, pezullimin nga detyra të prokurorit Maksim Sota, prokuror në prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Sa më sipër ndërmerret për shkak të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” dhënë me vendimin 45, datë 30.06.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me të cilin subjekti nën hetim Maksim Sota është vendosur nën këtë masë sigurimi personal, parashikuar nga neni 237 i Kodit të  Procedurës Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur, sikundër kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit.

Për shkak të pezullimit nga detyra të prokurorit Edmond Karriqi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, i caktuar përkohësisht si Drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, Këshilli vendosi transferimin përkohësisht, me pëlqimin e tij, tëz. Xhevahir Lita, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, i cili do të ushtrojë detyrën si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës  së Shkallës së Parë Kukës, përkohësisht  nga data 05.07.2021 – 04.01.2022.

Gjithashtu, me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi me votë unanime, që prokurori Xhevahir Lita të caktohet përkohësisht të ushtrojë edhe funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për një afat tremujor, nga data 05.07.2021 – 04.10.2021, pasi ai i plotëson kushtet e përcaktuara në ligj dhe në Rregulloren përkatëse të Këshillit.