Fjala e Kryetarit të KLP-së, z. Gent Ibrahimi, në konferencën “Forcimi i Drejtësisë Penale”

Gent Ibrahimi: Reforma solli depolitizimin e drejtësisë.

Mirëmengjes,

Do desha ta filloj me një falenderim për zonjën ministre, e cila pati idenë që të organizojë një seri aktivitetesh në përvjetorin e pestë të reformës në drejtësi. Eshte pikërisht kjo nismë e saj që na sjell sot këtu, dhe na jep mundësine të përcjellim disa mesazhe të rëndësishme, duke përfituar, pse jo, edhe nga vëmendja e shtuar që sjell zakonisht prania e mikes sonë, ambasadores Yuri Kim.

Mendoj se, aktivitete si ky janë shembulli më i mirë i rolit të ri të Ministres së Drejtësisë dhe Qeverisë në qeverisjen e sistemit të drejtësisë, si rezultat i reformës. E ç’është ky rol? E kam thënë disa herë se, reforma e vitit 2016 mund të karakterizohet në disa mënyra. Por, nuk ka dyshim se, një nga karakterizimet më të spikatura është depolitizimi i qeverisjes së sistemit të drejtësisë që solli ajo. Thënë ndryshe, reforma shënoi një “abdikim” të mirëfilltë të politikanëve nga detyrat dhe përgjegjësitë në fushën e drejtësisë.

Tani duket si histori antike, por vetëm 5 vite më parë, Ministri i Drejtësisë ishte adminstratori ekskluziv i gjykatave në këtë vend. Ministri i Drejtësisë ishte inspektor i gjykatave dhe gjyqtarëve dhe, gjithashtu, iniciuesi ekskluziv i procesit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Pa firmën e ministrit, asnjë gjyqtar nuk mund t’i nënshtrohej procedimit disiplinor.

Në gjysmën tjetër të sistemit të drejtësisë, kompetencat qeverisëse ishin grumbulluar në duart e një njeriu të vetëm, që ishte Prokurori i Përgjithshëm. Ky i fundit nuk ishte, veçse një guvernator fuqiplotë i politikës në sistemin e prokurorisë. Ai zgjidhej dhe shkarkohej me shumicë të thjeshtë nga parlamenti. Një shumicë, që e ka çdo qeveri që qeveris. Shërbente pa afat kushtetues dhe në kushtet e mungesës së plotë të llogaridhënies. Kjo e fundit vinte vetëm në formën e një impeachment nga parlamenti, një proces politik i zbatuar nga një institucion politik si parlamenti.

Sot, Ministria e Drejtësisë/Qeveria duhet t’u drejtohet atyre që njihen si “soft powers”, për të kryer detyrat e saj, gjithsesi të rëndësishme në fushën e drejtësisë. Në fund të fundit, legjitimimi politik që përftohet në proceset zgjedhore, i cili ka tipikisht në themel të tij premtimin e mirëqeverisjes, nuk mund të kuptohet pa mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë.

Mirëpo, që të funksionojë mirë sistemi i drejtësisë, ai duhet të qeveriset mirë. Por, ç’mund të bëjë Ministria e Drejtësisë/Qeveria, kur fuqitë e vërteta tashmë janë në duart e të tjerëve?

Kjo është një pyetje që na mundon veçanërisht ne shqiptarëve, që jemi mësuar ta kuptojmë pushtetin vetem si kompetencë e mirëfilltë për të bërë diçka.

Unë mendoj se ka energji dhe fuqi të madhe edhe tek procese të tjera, si koordinimi, monitorimi, informimi dhe, prej këtej, tek artikulimi i qëndrimeve dhe politikave publike, ndërhyrjeve legjislative, buxhetore, emërimi i funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë (ndonëse me shumica, që e kalojnë shumicën qeverisëse dhe përfshijnë filtrin e KED-së) etj. Këto janë fuqi të konsiderueshme, të cilat janë ende aty ku duhet të jenë, në duart e përfaqësuesve politikë.

Sidoqoftë, të mësohesh të veprosh e të drejtosh, duke përdorur vetëm soft powers nuk është e lehtë dhe nuk mësohet brenda një viti. Jo më kot, unë nuk lodhem së përsërituri se, reforma në drejtësi në vitin 2016, nuk ishte thjesht një përpjekje teknike për të bërë të mundur që shërbimi i sistemit të drejtësise të jetë më i efektshëm (për këtë do kishin mjaftuar disa amendamente në ligjet procedurale dhe në formulat organizative në nivel gjykate e prokurorie). Ne nuk u mjaftuam me kaq, në vitin 2016. Në të vërtetë, reforma e vitit 2016 e rithemeloi sistemin e drejtësise, bazuar, midis të tjerash, në parimm e depolitizimit dhe të vetëqeverisjes së pjesshme të sistemit.

Në këtë kuptim, reforma është një kontribut madhor në emancipimin politik e shoqëror të shqiptarëve, të mësuar me një model paternalist të qeverisjes. Paternalizmi është një formë udheheqjeje karizmatike, që tipikisht vjen nga një burim i vetëm. Ndonëse avantazhet e kësaj forme udhëheqjeje janë të konsiderueshme, e vërteta është që, me kalimin e kohës, paternalizmi të mpin, të bën të paaftë të kuptosh, të artikulosh, të ndryshosh gjërat që nuk shkojnë. Për më tepër, udhëheqja e këtij lloji është krejt e papërshtatshme për magjistratët, të cilët janë të supozuar t’i përkasin elitës së çdo shoqërie. E, t’i përkasësh elitës do të thotë të kesh zë e prani në diskurin publik e të dish të vetëqeverisesh.

Megjithatë, pikërisht një forme të tillë udheheqjeje, qeverisjeje paternaliste, i janë nënshtruar prokurorët, nga viti 1998 deri në vitin 2016. Pasojat nuk vonuan të vijnë në formën e bjerrjes së integritetit, profesionalizmit dhe dinjitetit.

Sot, prokurorët janë pjesëmarrës aktivë në qeverisjen e sistemit, në të cilin ata shërbejnë. Nëse në të shkuarën ata mbanin sytë lart nga pater familias (Prokurori i Përgjithshëm), nga i cili prisnin zgjidhjet për gjithçka, por edhe ndëshkimet, sot ata dominojnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). Të dominosh KLP-në, do të thotë të marrësh në duart e tua, fatet e karrierave të prokurorëve.

Për prokurorët, karrierat jane gjëja më e rëndësishme. Për hir të një karriere të suksesshme, një prokuror (çdo njeri, në fakt) mund të tregojë përkulshmëri në kurriz të drejtësisë dhe integritetit.

Duke pasur parasysh këtë rrezik, sot, vendimet mbi karrierat e prokurorëve merren në mënyrë meritokratike e kolegjiale nga KLP. Kjo mënyrë vendimmarrjeje mbi karrierat e prokurorëve është guri i themelit në përpjekjen afatgjatë për të krijuar prokurorin e ri të Shqipërisë, të karakterizuar nga profesionalizmi, integriteti e dinjiteti.

Këtë detyrë historike e kanë marrë përsipër vetë prokurorët në KLP dhe jo “guvernatori fuqiplotë” i politikës në sistemin e Prokurorisë.

Nga ana tjetër, vetëqeverisja ka zbritur në nivelin e çdo zyre prokurorie. Në fakt, drejtuesi i prokurorisë është administratori i vërtetë i zyrës së tij. Drejtuesi i prokurorisë i ushtron detyrat e tij brenda kuadrit metodik e nënligjor të përcaktuar nga Prokurori i Përgjithshëm. Nga ana tjetër, performanca e çdo drejtuesi i nënshtrohet vleresimit periodik nga KLP, duke krijuar kështu, një sferë pavarësie e llogaridhënieje, që i shkon për shtat figures së lartë të prokurorit.

Konfiguracioni që shohim sot, sa i takon aktorëve institucionalë që qeverisin sistemin e drejtësisë dhe shpërndarjes së roleve e përgjegjësive mes tyre, është krejt i ndryshëm. Në themel të këtij konfiguracioni të ri qëndron mohimi i vetëdijshëm i gjithë atyre zgjidhjeve që parashikonte Kushtetuta e vitit 1998, të cilat unë i përmenda shkurtimisht, por thelbesisht, më lart.

Unë do qëndroj tek konfigurimi i ri në fushën e qeverisjes se Prokurorisë.

Më datë 14 qershor institucionet qeverisëse të sistemit të drejtesisë raportuan publikisht para Kuvendit, për ecurinë e punëve në sektorët përkatës. Ishte interesante të shihje, nga njëra anë znj. Llagami, si raportuese ekskluzive për zhvillimet dhe problematikat në sistemin gjyqësor, dhe, nga ana tjetër, të shihje një triumvirat të përbërë nga z. Çela, z. Kraja dhe une. Mendoj se, ky fakt i thjeshtë fizik tregon në mënyrë elokuente, raportin e ri të “forcave”në qeverisjen e sistemit të Prokurorisë. Natyrisht që është një model më kompleks se ai që kishim, por që i shkon më shumë për shtat, statusit të lartë të prokurorit.

SPAK është një specie shumë e veçantë. Natyrisht, SPAK nuk është organ i qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Kjo përgjegjësi ndahet mes KLP dhe Prokurorit të Përgjithshëm. SPAK nuk është, veçse një operator i sistemit të drejtësisë penale. Sidoqoftë, duke pasur parasysh rëndësinë e punës së tij, Kushtetuta e ka konceptuar atë, si një organ të pavarur e të vetëqeverisur. Pikat e kontaktit të SPAK me botën e jashtme janë Kuvendi dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. KLP duhet të sigurohet periodikisht për profesionalizmin e prokurorëve të SAPK. ILD dhe KLP janë garantet e sjelljes etike e profesionale të prokurorëve të SPAK, në interes të shoqërisë.

Do desha ta mbyll këtë fjalë të shkurtër, duke theksuar se, prokurorët e Shqipërise duhet të mësohen me lirinë racionale e të kushtëzuar që ka sjellë reforma në drejtësi. Natyrisht që, nuk ka dhe nuk mund të ketë liri nga ligji. Liria nga ligji quhet anarki.

Liria funksionon …