Fjala e Kryetarit të KLP-së, z. Gent Ibrahimi, në konferencën “5 vite nga reforma në drejtësi”.

Konferenca nën logon “5 vite nga reforma në drejtësi” bëri sot bashkë në një tryezë, ministren e drejtësisë Etilda Gjonaj, ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, ambasadoren amerikane Yuri Kim si edhe krerët e institucioneve të reja të drejtësisë.

Në fjalën e tij, Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, nënvizoi nevojën për një koordinim dhe bashkëpunim më të mirë të institucioneve të drejtësisë, për të dhënë rezultatet e shumëpritura nga opinioni publik dhe nga shoqëria në tërësi.

Gent Ibrahimi: “Vendimet e mëdha politike janë marrë që në vitin 2016. Mendoj se ka ardhur koha t’i japim rëndësi materializimit të politikave publike. Është koha, gjithashtu, të përftohen rezultatet në këtë nivel. Për të gjitha institucionet që janë të përfaqësuara këtu, është koha për të dhënë rezultate, sepse jemi në një fazë të pakthyeshme të funksionimit të reformës në drejtësi. Vetë pamja e përfaqësuesve të institucioneve të rreshtuara në këtë tryezë, tregon shumë qartë që arkitektura e re e sistemit të drejtësisë është komplekse, por inteligjente. Megjithatë, ajo sjell në plan të parë, nevojën për koordinim. Ne duhet të mësojmë të ndërveprojmë. Strategjia që shtrohet sot, është dokumenti që materializon edhe mënyrën se si do të koordinohemi me të ardhmen për rezultatet. Për të gjitha institucionet është koha për të dhënë rezultate dhe ne jemi duke e bërë këtë, diku më të dukshme diku jo, ky është një moment i rëndësishëm që të kornizohet në një strategji të efektshme”.