Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 23.07.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 23.07.2021, mbledhjen plenare të radhës. Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Me propozim të anëtarit të Këshillit, z. Kostaq Beluri, dhe me miratimin e shumicës, rendit të ditës iu shtua pika për miratimin e lejes së papaguar për znj. Eranda Laze, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Këshilli vendosi me shumicë votash, miratimin e lejes së papaguar për një periudhë 6-mujore, duke filluar nga data 01.09.2021.

Në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), Këshilli zhvilloi sot paradite intervistat me kandidatët, z. Adnan Xholi dhe znj. Dorina Bejko, të cilët plotësojnë kushtet ligjore të parashikuara për procesin e vlerësimit të kritereve të posaçme etike dhe profesionale.

Në nisje të seancës së intervistave me dy kandidatët sipërpërmendur, anëtarët e Këshillit, z. Vatë Staka dhe z. Sandër Beci i kërkuan Këshillit përjashtimin e tyre nga vlerësimi dhe, rrjedhimisht, votimi për kandidatin z. Adnan Xholi, për shkak të konfliktit të interesit.

Me propozim të Komisionit të Posaçëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi listën me renditjen e kandidatëve si vijon:

  1. Z. Adnan Xholi, i vlerësuar me 183 pikë;
  2. Znj. Dorina Bejko, e vlerësuar me 180 pikë.

Në vijim, Këshilli vendosi emërimin e tyre si prokurorë pranë  Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Me votë unanime, Këshilli vendosi, gjithashtu, për 5 (pesë) caktime të përkohshme për një periudhë tremujore, nga data e hyrjes në fuqi të vendimit, si vijon:

  1. Z. Erjon Shehaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë;
  2. Z. Pierind Çukaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë;
  3. Z. Durim Bedini, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë;
  4. Z. Julian Çafka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër;
  5. Z. Lazër Çardaku, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Gjithashtu, Këshilli miratoi  3 (tre) raporte për analizimin e aftësisë profesionale të subjekteve të rivlerësimit, si vijon:

  1. Z. Ermir Lelçi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër;
  2. Znj. Edlira Cufi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër;
  3. Znj. Silvana Lule, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar, procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokuroren Dhorina Theodhori, kandidate për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë dhe për prokurorin Abaz Muça, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat. Pas këtij momenti ata lejohen të vijojnë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë.

Shorti ka caktuar si relatorë, z. Alfred Balla, për fillimin e procedurës së ngritjes në detyrë për prokuroren Dhorina Theodhori dhe z. Bujar Sheshi, për fillimin e procedurës së ngritjes në detyrë për prokurorin Abaz Muça.

Këshilli vendosi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për shkak dorëheqjeje, përz. Agron Gjana, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Dorëheqja jep efekt me datë 31.08.2021.