Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më datë 23.09.2021, mbledhjen plenare të radhës. Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Me propozim të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Bujar Sheshi, me 8 vota “pro” dhe 3 “kundër” (z. Gent Ibrahimi, znj. Nurihan Seiti dhe z. Vatë Staka), rendit të ditës iu shtua një pikë për diskutimin/miratimin e caktimit të përkohshëm të Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Parë Sarandë, në kushtet kur Drejtuesi aktual i kësaj Prokurorie, z. Lorenc Mërkuri, është shkarkuar nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më datë 22.09.2021.
Me 8 vota “pro” dhe në mungesë të Kryetarit të Këshillit, z. Gent Ibrahimi dhe anëtarëve z. Moisi Duda dhe z. Vatë Staka, Këshilli vendosi transferimin me pëlqim të z. Alfred Shehu, aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për një periudhë kohore njëvjeçare nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Gjithashtu, Këshilli vendosi më 8 vota “pro”, caktimin e përkohshëm të prokurorit Alfred Shehu, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për një periudhë kohore tremujore nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Në vijim të pikave të rendit të ditës, pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli vendosi në mënyre unanime, ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorinz. Arben Smaçi, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, dhe për prokurorin z. Arben Dyla, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje. Shkak për ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatët e sipërpërmendur, është vendimi i KPK-së për shkarkimin nga detyra të këtyre dy subjekteve të rivlerësimit. Për këtë arsye, z. Arben Smaçi dhe z. Arben Dyla, pezullohen nga detyra dhe nuk mund të ushtrojnë funksionin e prokurorit deri në një vendimmarrje të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA). Gjithashtu, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokuroren znj. Dorina Bejko, kandidate për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec. Gjatë procedurës së verifikimit, kandidatja Dorina Bejko ka paraqitur kërkesën, me anë të së cilës ka deklaruar se tërhiqet nga kandidimi për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për shkak se, më datë 23.07.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur emërimin e saj në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Me Vendimin nr. 179, datë 03.06.2021, “Për fillimin e procedurave të verifikimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka filluar procedurën administrative për verifikimin e pasurisë dhe figurës të kandidatëve për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022.
Pasi u njoh me relacionet të përgatitura nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli vendosi në mënyrë unanime lejimin e kandidimit për 18 (tetëmbëdhjetë) kandidatë, për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, në vitin akademik 2021-2022. Respektivisht, bëhet fjalë për: z. Arbër Delilaj, znj. Arisa Shkrepi, znj. Arjeta Plaku, znj. Aulona Haxhiraj, znj. Briselda Zhuzhi, znj. Brisida Leka, znj. Elsa Gjeli, znj. Ema Lazaj, znj. Enkelejda Meçka, znj. Greta Dreni, znj. Hava Memko, z. Kristi Jorgji, z. Mirjon Brahimllari, znj. Olta Hadushaj, znj. Ornela Ferhati, znj. Rajmonda Xhelollari, z. Renato Tosku dhe znj. Sonila Qerrolla.
Në vijim, Këshilli vendosi miratimin e raporteve për analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit: znj. Violeta Shkurta, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, dhe për z. Ylli Pjetërnikaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.
Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Gjithashtu, Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin Gjon Fusha, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër (sipas relacionit bashkëlidhur) dhe të lejojë kandidatin në fjalë të vijojë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë. Shorti caktoi si relator anëtarin e Këshillit, z. Bujar Sheshi.
Më tej, Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatin z. Albert Murçaj, për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, dhe të lejojë kandidatin në fjalë të vijojë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë. Shorti caktoi si relatore anëtaren e Këshillit, znj. Eloida Goxhi.
Pasi u njoh me relacionet shpjeguese, të përgatitura nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi unanimisht caktimin e përkohshëm për një periudhë tremujore (nga data e hyrjes në fuqi të vendimit), të z. Dritan Gripshi, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat; të z. Neritan Hoxha, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec; të znj. Violeta Shkurta, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe të znj. Arta Marku, në pozicionin e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Me 11 vota “pro”, Këshilli vendosi për caktimin e përkohshëm të znj. Elida Hoxhaj, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, dhe të z. Kleanth Zeka, aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë, në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.