Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 04.10.2021, mbledhjen plenare të radhës në prani të 10 (dhjetë) anëtarëve dhe në mungesë të z. Moisi Duda. Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me 7 (shtatë) vota pro dhe 3 vota kundër ( z. Gent Ibrahimi, z. Vatë Staka dhe z. Kostaq Beluri) të shpallë fillimin e procedurave për plotësimin e 2 (dy) vendeve vakante për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Njoftimi i vendeve vakante si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët do të publikohen në faqen zyrtare të Këshillit. Shprehja e interesit duhet të dorëzohet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga shpallja e thirrjes në faqen zyrtare të institucionit.
Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi, nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, të caktojë z. Gjon Fusha në detyrën e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër dhe z. Albert Murçaj në detyrën e Drejtuesit në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër. Ata do të ushtrojnë funksionin e Drejtuesit për një periudhë 3 (tre) vjeçare duke filluar nga data 04.10.2021.
Në vijim, Këshilli vendosi me shumicë votash, caktimi nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele të z. Adnan Hoxha, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat; të z. Elidon Hysenaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat dhe të znj. Ajola Prençi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin në detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë. Vendimet hynë në fuqi me datën 11.10.2021. Gjithashtu, Këshilli vendosi miratim i raportit për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit znj. Ajola Prençi, Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin. Një kopje e këtij Raporti i dërgohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Me shumicë votash, Këshilli vendosi të konsiderojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës të kandidateve znj. Valbona Verzeroli dhe të z. Enea Babameto për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës në vitin akademik 2021-2022 dhe të miratojë listën pjesore të 18 (tetëmbëdhjetë) kandidatëve, për të cilët është vendosur lejimi i kandidimit për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës, në vitin akademik 2021-2022, si vijon:
- Arbër Delilaj
- Arisa Shkrepi
- Arjeta Plaku
- Aulona Haxhiraj
- Briselda Zhuzhi
- Brisida Leka
- Elsa Gjeli
- Ema Lazaj
- Enkelejda Meçka
- Greta Dreni
- Hava Memko
- Kristi Jorgji
- Mirjon Brahimllari
- Olta Hadushaj
- Ornela Ferhati
- Rajmonda Xhelollari
- Renato Tosku
- Sonila Qerolla
Këshilli vendosi me 10 (dhjetë) vota pro z. Xhevahir Lita të caktohet përkohësisht të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës për një afat 3 (tre) mujor nga data 05.10.2021 – 04.01.2022.