Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi në Razëm të Shkodrës, nga data
5 deri 7 tetor 2021, një seminar dyditor, kushtuar hartimit të
Rregullores së Brendshme, që synon të rregullojë veprimtarinë dhe
garantojë mirëfunksionimin e institucionit.
Në këtë aktivitet zyrtar morën pjesë Kryetari i Këshillit të Lartë të
Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, Zv/Kryetari i Këshillit, z. Alfred Balla,
anëtari i Këshillit, z. Vatë Staka, Sekretari i Përgjithshëm i
Këshillit, z. Emis Çerava, këshilltarë ligjore të përfshirë në grupin e
punës për hartimin e kësaj Rregulloreje, si dhe punonjës të tjerë të
administratës së institucionit.
Në seminar u diskutua, sipas një tematike të strukturuar, rreth misionit
të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u theksua se, veprimtaria e
këtij institucioni të ri të drejtësisë së re, mëton të ndërtojë,
udhëheqë dhe qeverisë një sistem prokurorie me performancë të lartë, i
cili synon ekselencën dhe meriton besimin e publikut.
Sikurse u theksua nga pjesëmarrësit në diskutime, qëllimi i këtij
dokumenti të rëndësishëm është të përcaktojë rregulla dhe procedura të
sakta për organizimin, funksionimin dhe veprimtarinë e Këshillit të
Lartë të Prokurorisë, bazuar në parimet e zbatimit të legjislacionit,
cilësisë dhe shpejtësisë së vendimmarjes, si dhe të garantimit të një
procesi transparent dhe ndërveprues me institucionet e tjera, partnerët
ndërkombëtarë dhe me publikun në tërësi.