KLP dhe OPDAT zhvillojnë trajnim mbi standardet etike të prokurorëve

Më 14.10.2021, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në bashkëpunim me Zyrën Tejoqeanike të Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit Prokurorial (OPDAT) organizuan në ambjentet e Hotel Tirana International, trajnimin mbi Kodin e Etikës së Prokurorit dhe standardet më të mira ndërkombëtare, që udhëzojnë sjelljen etike të tij gjatë dhe jashtë ushtrimit të funksionit.

Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të Këshillit, këshilltarë ligjorë dhe ekspertë nga misionet OPDAT dhe EURALIUS.

Gjatë diskutimeve u theksua se Kodi i Etikës së Prokurorit synon të garantojë rritjen dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Kodi synon të krijojë, ruajë dhe forcojë rregullat e sjelljes, si dhe të rrisë efikasitetin e të gjithë prokurorëve në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore, për llogari të shoqërisë, në interes të publikut dhe në emër të shtetit të së drejtës, si pjesë e sistemit të drejtësisë penale.

Trajnimet e përbashkëta midis KLP-së dhe zyrës së OPDAT-it ndihmojnë dhe mbështesin forcimin e kapaciteteve institucionale, për rritjen e efikasitetit dhe efiçencës së sistemit të prokurorisë në vend, në kuadrin e reformës në drejtësi.