Sot në datën 10.11.2021, Zv/Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Z. Alfred Balla, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Z. Emis Çërava, mori pjesë në seancën dëgjimore për Shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022” të zhvilluar para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Z. Balla bëri një prezantim mbi procesin e hartimit të programit buxhetor për vitin 2022 dhe theksoi se KLP nuk ka tejkaluar tavanet buxhetore për kërkesat buxhetore për vitin në vijim. Nëpërmjet këtij buxheti synohet sigurimin e kapaciteteve financiare të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë së Këshillit në mënyrë sa më efikase, transparente dhe me cilësi të lartë në zbatim të ligjeve që përbëjnë paketën e reformës në drejtësi dhe parimeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve prezent në Komisionin në lidhje me gjendjen aktuale të sistemit të prokurorisë, me opinionin e KLP-së mbi propozimin e KLGJ-së mbi hartën e re gjyqësore dhe mundësinë e ushtrimit të procesit të vetting-ut të magjistratëve nga të dy Këshillat pas mbarimit të mandatit të KPK-ë në qershor 2022, Zv/ Kryetari i KLP-së ngriti shqetësimin për vështirësitë në plotësimin e vakancave në sistemin e prokurorisë si pasojë e shkarkimeve nga procesi i vetting-ut dhe prurjeve të pamjaftueshme nga Shkolla e Magjistraturës.
Gjithashtu, ai theksoi faktin se KLP do të japë opinionet e tij mbi hartën e re gjyqësore kur propozimi të vijë zyrtarisht për mendim në Këshill.
Në lidhje me parashikimin buxhetor për realizimin e vetting-ut nga KLP dhe KLGJ, Z. Balla iu përgjigj të pranishmëve se KLP do të presë vijimin e procesit për të evidentuar nevojat që do të ketë Këshilli për buxhet pas Qershorit të 2022 kur Kushtetuta parashikon përfundimin e mandatit të KPK-së.