AKTIVITETEPËR MEDIAT

Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 16.11.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 16.11.2021, mbledhjen plenare të radhës.

Këshilli vendosi për vazhdimin e caktimit të përkohshëm, për një periudhë tre mujore, të z. Durim Bedini, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë,  të z. Julian Çafka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe të z. Lazër Çardaku, në pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.

Me vendim unanim, Këshilli vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për znj. Armanda Xhaferri, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan dhe për zj. Ermira Tafani, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për shkak dorëheqjeje.

Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi caktimin në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës (shpallur me Vendimin nr. 329, datë 29.12.2020), të znj. Englantina Shehu, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele.

Në vijim, Këshilli vendosi miratimin e raportit për analizimin e aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, z. Etien Kapo, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, të z. Kasem Berberi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të z. Erjon Imeraj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të  z. Astrit Halilaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.

Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës të prokurorit Arben Nika, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, duke lejuar kandidatin të vijojë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë.

Në përfundim të procedurës e verifikimit të pasurisë dhe figurës të znj. I.D, kandidate për t’u pranuar në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2021-2022, Këshilli vendosi  ndalimin e kandidates për t’u pranuar në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës.

Gjatë seancës së sotme, Këshilli vendosi caktimin e datës 28 dhjetor 2021, ora 11.00, për zhvillimin e seancës dëgjimore në lidhje me procedim disiplinor nr. 2346 prot., datë 29.10.2021, filluar ndaj magjistrates {…}, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës {…}

Seanca u ndoq edhe nga përfaqësues të programeve të asistencës për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.