Njoftim lidhur me akreditimin për ndjekjen e seancave plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Duke marrë shkas nga shkrimi i publikuar më datë 17.11.2021 nga portali Reporter.al me titullin “Praktika e dyerve të mbyllura në KLP cënon rëndë transparencën”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë sqaron të interesuarit, si vijon:

KLP ka ndjekur me vëmendje çdo reagim dhe çdo deklaratë publike lidhur me punën e institucionit. KLP është i vetëdijshëm, se komunikimi institucional ka për synim kryesor rritjen e besueshmërisë së publikut në institucionet e reja të drejtësisë.

Situata e pazakontë të krijuar në vend nga pandemia Covid 19 ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve publike.

Në respektim të masave të parashikuara për përballimin e saj, prej më shume se dy vitesh, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka zhvilluar seancat plenare kryesisht online, nëpërmjet platformës Zoom. Ato janë ndjekur nga përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të akredituara pranë KLP-së, si dhe nga programet e asistencës ndërkombëtare për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS dhe OPDAT.

Në zbatim të Ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, si dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore, KLP, gjatë kësaj periudhe, ka garantuar qasje të plotë dhe pa pagesë në informacionin për publikun. Mbledhjet plenare të KLP-së janë publikuar në faqen zyrtare, brenda 24 orëve nga data e zhvillimit të tyre.

Pranimi i medias gjatë seancave plenare online ka qenë i kufizuar, për arsye të respektimit të parashikimeve ligjore të nenit 167 të Ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, pasi menaxhimi nga KLP-ja i informacioneve, të cilat nuk duhen publikuar në zbatim të ligjit sipërcituar, teknikisht ka qenë i pamundur. Për këtë qëllim, ligji ka parashikuar dhe një afat 24-orësh për redaktimin e materialeve të mbledhjes, në respektim të të drejtave të privatësisë, konfidencialitetit, të dhënave personale apo sensitive.

Në kushtet e kufizimit të numrit të pjesëmarrësve të pranishëm fizikisht në seancat plenare, çdo i interesuar, duke përfshirë median, shoqërinë civile apo çdo entitet tjetër të interesuar për aktivitetin e KLP-së, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, në adresën [email protected] për akreditim, në mënyrë që të sigurojnë qasje në linkun e mbledhjes plenare, për ta ndjekur live.

KLP publikon në faqen zyrtare të Këshillit www.klp.al, rendi i ditës të mbledhjes plenare, 24 orë para zhvillimit të saj. Prania fizike në ambientet, ku zhvillohen seancat plenare, do të vazhdojë të jetë e kufizuar, për sa kohë ndodhemi në kushtet e pandemisë Covid 19.