AKTIVITETEPËR MEDIAT

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Gent Ibrahimi, takim me kryeinspektorët e Rumanisë dhe Portugalisë  

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, priti sot në një vizitë zyrtare kreun e Inspektimit Gjyqësor të Rumanisë, gjykatësin Lucian Netejoru, dhe inspektorin gjykatës Luis Jardim nga Inspektorati i Drejtësisë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në Portugali.

Vizita bëhet në kuadër të projektit të Këshillit të Evropës SEJ III, që ka në fokus mbështetjen e institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri, të krijuara në zbatim të reformës në drejtësi.

Pasi dëgjoi me vëmendje paraqitjen mbi mënyrën e funksionimit të zyrave të inspektimit dhe bashkëveprimin ndërinstitucional në vendet përkatëse, z. Gent Ibrahimi u shpjegoi bashkëbiseduesve rolin e institucionit që drejton në raport me Inspektorin e Lartë i Drejtësisë (ILD) duke theksuar njëkohësisht, bashkëpunimin ngushtë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Z. Ibrahimi theksoi se Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendos mbi masat disiplinore të propozuara nga ILD në përfundim të procedimit disiplinor ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve. Gjithashtu, ai i informoi të ftuarit mbi rolin, organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit, në përfundim të tre vjetëve që nga krijimit të tij, duke paraqitur sfidat dhe vështirësitë e hasura gjatë procesit të ngritjes dhe konsolidimit të institucionit që ai drejton.

Në përfundim të takimit, të dy kryeinspektorët falënderuan Kryetarin e KLP-së, për bashkëbisedimin dhe theksuan se është me rëndësi të veçantë shkëmbimi i përvojave profesionale midis vendeve tona.