Kreu i KLP-së, Z. Gent Ibrahimi priti në një takim delegacionin Armen në kuadër të vizitës studimore në institucionet e drejtësisë në Shqipëri

Sot, në datën 26.11.2021, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë z. Gent Ibrahimi, i shoqëruar nga znj. Nurihan Seiti,  kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale në Këshill, u takua me delegacionin Armen, të përbërë nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Korrupsionit.

Vizita e tyre në institucione të drejtësisë në vend është me natyrë studimore dhe ka si qëllim njohja e arkitekturës së sistemit të ri të drejtësisë në vend pas hyrjes në fuqi në vitin 2016 të paketës ligjore mbi të cilën mbështetet zbatimin e reformës në drejtësi, përbërja dhe mandati i KLP-së, roli i tij në “vettingun e përhershëm” të prokurorëve, procesi i rekrutimit të prokurorëve kandidatë për t’u pranuar në programin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, kriteret dhe procedura e vlerësimit të prokurorëve, ngritja në detyrë, përgjegjësia disiplinore dhe shkarkimi i prokurorëve, sfidat e organeve kolegjialë për transparencë ndaj opinionit publik dhe medias.

Në përfundim të takimit, të pranishmit vlerësuan se njohja e përvojës shqiptare do t’i shërbejë delegacionit Armen në vendimmarrjet e ardhshme për reformimin e sistemit të tyre të drejtësisë.