Më 02.12.2021, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit, ishin të pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e përfundimit të projektit EURALIUS në Shqipëri.
Projekti “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (EURALIUS) është zbatuar në kuadrin e asistencës teknike të Bashkimit Evropian në fushën e drejtësisë në vendin tonë. Objektivi kryesor i projektit ka qenë fuqizimi i pavarësisë, transparencës, efiçencës, përgjegjshmërisë dhe besimit publik në sistemin shqiptar të drejtësisë, në pajtim me të drejtën dhe praktikat më të mira të BE-së. Projekti ka mbështetur Shqipërinë në hartimin e legjislacionit në fushën e gjyqësorit në përputhje me standardet më të mira evropiane.
Projekti i ka ofruar Këshillit asistencë tekniko-ligjore të vazhdueshme në hartimin e akteve nënligjore, rregulloreve si dhe gjatë proceseve të rëndësishme, si zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, ngritja e SPAK-ut, zgjedhja e drejtuesve të SPAK-ut dhe BKH-së.
Me këtë rast, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpreh vlerësimin e tij si organ kolegjial, duke falënderuar të gjithë ekspertët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre të pakufizuar në zbatimin e reformës në drejtësi.