Vendime të marra në mbledhjen plenare të datës 02.12.2021

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot, më 02.12.2021, mbledhjen plenare të radhës, në praninë e 10 (dhjetë) anëtarëve dhe në mungesë të znj. Nurihan Seiti.

Këshilli vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit, z. Julian Kristo, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për shkak dorëheqjeje. Dorëheqja i jep efektet më datë 31.12.2021.

Këshilli vendosi zgjatjen e caktimin e përkohshëm të z. Elvin Gokaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës, dhe të z. Pierind Çukaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë, për një periudhë tremujore nga hyrja në fuqi të vendimit.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të caktojë z. Arben Nika, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin. Konkretisht, z. Arben Nika do të ushtrojë funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, nga data 02.12.2021 – 01.12.2024.

Këshilli vendosi miratimin e  lejes së papaguar për magjistratin z. Valentin Preçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, nga 20.12.2021 deri më 15.01.2022, dhe të magjistrates znj. Ida Ahmetlli, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për një periudhë njëvjeçare, duke filluar nga 01.12.2021 deri më 30.11.2022.