Kreu i KLP-së, z. Gent Ibrahimi, i pranishëm në hedhjen e shortit për anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED)

Më 03. 12.2021 janë përzgjedhur me short, në Presidencë, nëntë anëtarët e rinj të Këshillit të Emërimit në Drejtësi (KED). Këshilli i Lartë i Prokurorisë është përfaqësuar nga Kryetari, z. Gent Ibrahimi.

Duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të drejtohet nga anëtari i Gjykatës së Lartë, z. Sokol Binaj. Gjatë shortit të hedhur në Presidencë janë përzgjedhur në mënyrë rastësore 9 anëtarët e rinj, të cilët do të ushtrojnë mandatin e tyre përgjatë vitit 2022.

Nga Gjykata Kushtetuese do të jenë znj. Marsida Xhaferllari dhe znj. Elsa Toska. Emrat e  znj. Arta Marku dhe z. Etien Kapo janë përzgjedhur nga 12 kandidatët e prokurorëve pranë Gjykata të Apelit, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme do të përfaqësohet me znj. Anila Leka. Pjesë e trupës së KED-së do të jenë edhe gjyqtarët znj. Edlira Petri, z. Enton Dhimitri dhe z. Klodian Mema.